Xhudistët synojnë të paktën një medalje në Kampionatin Botëror
Kampionati Botëror i xhudos “Budapest 2017”, do të fillojë më 28 gusht, ku Kosova do të përfaqësohet me katër garues.
Sport
Dy herë kampionia e botës dhe fituesja e medaljes së artë olimpike në LO “RIO 2016”, Majlinda Kelmendi, do t’iu prijë edhe tre xhudistëve tjerë: Distria Krasniqi, Nora dhe Akil Gjakova.
Majlinda dhe Distria garojnë në kategorinë deri 52 kilogram, Nora në 57 kilogram, kurse Akili në kategorinë deri në 73 kilogram.
Trajneri i tyre, Driton Kuka, në intervistën për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës “noc-kosovo.org”, ka folur për përgatitjet dhe pritshmëritë e garuesve.
A janë të gatshëm xhudistët për Kampionatin Botëror “Budapest 2017”?
Kuka: Ekipi në tërësi ka pasur përgatitje serioze dhe të planifikuara mire, siç edhe e kemi praktikë para garave të këtij niveli.
Si është gjendja shëndetësore e tyre?
Kuka: Gjendja shëndetësore në përgjithësi është e mire, me disa probleme të vogla, që shpresoj se nuk do të jenë pengesë për performansë serioze.
Cilat janë pritshmëritë tuaja, sa medalje mund t’i fitojnë xhudistët tanë?
Kuka: Realisht pres që së paku me një medalje të kthehemi, që është cak i yni para çdo gare të madhe. Gara është e fortë dhe mundësia eventuale për plasman të mirë është prej secilit garues, shorti (hedhet të dielën) është i rëndësishem për secilin prej garuesëve.
A ka presion Majlinda Kelmendi për ta fituar medaljen e tretë në Kampionatin Botëror?
Kuka: Majlinda, e as njëri prej ekipit nuk preokupohen me medalje të artë. Çdo medalje është e artë në Kampionat Botëror, prandaj caku është medalja.
Majlinda dhe Distria (Krasniqi) janë në të njëjtën kategori (-52 kg), a mund ta kemi një finale, Kelmendi – Krasniqi?
Kuka: Majlinda tanimë është favorite në çdo garë për medalje. Distria është ndër më të mirat në botë dhe gjasa për plasman, e edhe për medalje ka, por duhet që ajo ditën e garës të japë më shumë se 100 për qind të vetvetës për medalje që vlen edhe për Norën. Për Akilin do të ishte rezultat i madh nëse afrohet në tetë të parët.