Xhabir Hamiti definon kombin dhe fenë

Xhabir Hamiti fton që shqiptarët të jenë të bashkuar, tolerantë dhe respektues me njëri-tjetrin. Ndryshe thotë ai do të “ndihmojmë vetëm djallin dhe armikun tonë shekullor”. I eliminuari nga Bashkësia Islame tregon se ku shqiptarët i bashkon feja e ku kombi.

Lajme

25/02/2014 15:58

Studiuesi i fesë islame, Xhabir Hamiti ka bërë thirrje që të shqiptarët të bashkohen pavarësisht fesë. Ai në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se “të përçarë, do të gëzojmë e ndihmojnë vetëm djalin dhe armikun tonë shekullor”.

“Me myslimanët, kudo që janë, komuniteti ynë shqiptar mysliman ndanë fenë e përbashkët, por me shqiptarët të cilësdo përkatësie fetare ndanë gjakun, tokën, dheun dhe atdheun”.

“Vetëm të bashkuar, tolerantë dhe respektues të njërit-tjetrit, do të kemi edhe ndihmën e Zotit dhe të tjerëve”.

“Kurse, të ndarë e të përçarë, mos dhashtë Zoti, do të gëzojmë e ndihmojmë vetëm djallin dhe armikun tonë shekullor”, ka shkruar Xhabir Hamiti.

Hamiti ka qenë Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ishte në garë për Kryetar të kësaj bashkësie në zgjedhjet e fundit, por qe eliminuar nga gara.