Wesley Clark sot nis dëshminë në Hagë, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, do të paraqitet sot para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai fillimisht pritej të dëshmonte më 18 nëntor, por dëshmia e tij është zhvendosur një ditë më herët, duke nisur nga ora 12:00. Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së…
Lajme
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, do të paraqitet sot para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai fillimisht pritej të dëshmonte më 18 nëntor, por dëshmia e tij është zhvendosur një ditë më herët, duke nisur nga ora 12:00.
Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë deri të mërkurën, pas së cilës gjykata do të mbajë një konferencë për ecurinë e rastit. Ndërkohë, seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.
Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.
Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes.
Parashtresat përfundimtare, si dhe deklarimet për ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.