Wesley Clark: Serbia është dora e Rusisë në Ballkan, nëse s’ndalet lufta në Ukrainë do të vijë në Ballkan

Gjenerali tashmë i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i forcave të NATO-s për Evropë, mbrëmë në një intervistë për CNN paralajmëroi rrezikun për një luftë të re në kontinentin e vjetër, më saktë në Ballkan. Ai tha se liderët si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “duhet të përballen…

Lajme

10/07/2024 14:23

Gjenerali tashmë i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i forcave të NATO-s për Evropë, mbrëmë në një intervistë për CNN paralajmëroi rrezikun për një luftë të re në kontinentin e vjetër, më saktë në Ballkan.

Ai tha se liderët si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “duhet të përballen me të”.

Clark, Serbisë i referohet si ”dora e Rusisë në Ballkan“, duke shtuar se Vuçiq mund të duket që po luan me dy anët mirëpo në fund ai do të veprojë vetëm siç do Putini.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë në Ballkan. Serbia i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të cijë koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë“, u shpreh ai.

Përndryshe, ai tha se Vuçiq dëshiron të marrë pjesën veriore të Kosovës dhe ndarjen e Bosnjës.

“Ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, të paktën ta marrë gjysmën e pjesës veriore të Kosovës dhe ndoshta më shumë, dhe sigurisht duan ndarjen e Bosnjës dhe ta marrin Republikën Srpska dhe bërjen e ‘Serbisë së madhe’. E gjithë kjo është për spastrimin etnik në Ballkan. Kemi parë shumë dhunë, vrasje në 30 vjetët e fundit dhe kemi menduar se NATO-ja e ka ndaluar, por nëse ka probleme në Ukrainë ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderë si kryeministri Kurti duhet të përballen me të”, tha Clark.

Ai paralajmëroi se rajoni rrezikon seriozisht nëse Rusia nuk ndalet në Ukrainë. Clark tha se Serbia i shërben interesave të Rusisë dhe se kërkon mbështetjen e saj për ta zgjeruar territorin.

Clark tha se NATO duhet “ta dyfishojë vendosmërinë” dhe të përfshihet në çlirimin e Ukrainës, ashtu si bëri me Kosovën në vitin 1999.

“Putin e di se ne nuk duam provokim që çon në konfrontim bërthamor dhe vazhdon të na paralajmërojë me stërvitje bërthamore… Më kujtohet kur NATO ishte e shqetësuar se po e bombardonte një shtet, nëse duhet të ndalonim, të pauzonim, kishte frikë por gjithsesi ne këmbëngulëm, NATO këmbënguli sepse SHBA si lider këmbënguli dhe Britania po ashtu ishte pjesë e madhe ashtu si Albright dhe Clinton. Ne nuk u tërhoqëm. Kjo është koha kur NATO duhet ta dyfishojë vendosmërinë e saj se Putini nuk do të fitojë dhe duhet të bëjmë më shumë sesa të ofrojmë armatim. NATO duhet të bëjë më shumë. Shikoni shembullin e Kosovës sot, 25 vjet demokraci, shtet i lirë, isha atje, të gjithë kanë një histori tmerri ashtu siç e rikujtoi kryeministri [Albin Kurti] dhe të gjithë janë falënderues ndaj NATO-s. Duhet të jetë e njëjta për Ukrainën, duhet ta shpëtojmë Ukrainën. Është detyra jonë si NATO”, tha Clark.

“NATO duhet të bëjë më shumë. Shikoni shembullin e Kosovës sot, 25 vjet demokraci, shtet i lirë. Kështu duhet të jetë edhe për Ukrainën, mund ta shpëtojmë Ukrainën nëse ngrihemi dhe e bëjmë [ndërhyjmë]. Kjo është detyra jonë”, tha Clark.

Clark përfundoj duke thënë se rruga më e mirë është futja e Ukrainës në NATO./Lajmi.net/