Werner: Ndryshimi i rregullit të ofsajdit në Angli i mirë për mua

Timo Werner ka komentuar ndryshimin e rregullit të ofsajdit në Angli.

Sport

12/06/2021 13:43

Në Premierligë, që nga sezoni i ardhshëm do të përdoret një vijë më e trashë në mënyrë që të gjykohet më mirë vija e fundit, shkruan lajmi.net.

Përdorimi i një vije më të trashë do jep mundësinë sulmueseve që të kenë pak më shumë hapësirë, duke i dhënë fund të ashtuquajturës ofsajd “i dorës”.

Premierliga dhe zyrtarët kanë theksuar se një ndryshim i tillë do të jetë tejet i madh, pasi shumë gola në sezonin e kaluar janë anuluar shkaku i dorës.

Tani ka folur edhe “viktima” e ofsajdit në Premierligë, Timo Werner, të cilit shumë gola iu anuluan shkaku i këtij rregulli.

“I kam lexuar lajmet që duan ta bëjnë vijën e fundit më të trashë në VAR”, tha ai.

“Kjo do të ishte e mirë për mua, sepse nëse do të ishte kështu unë do të kisha pesë apo më shumë gola në sezonin e kaluar”, tha Werner.

“Nuk po them se VAR-i është gabim, por se unë kam vuajtur më së shumti nga vendimet e tij”, përfundoi Timo Wernger./Lajmi.net/