Aksioni kundër kriptovalutave dhe këmbimoreve vazhdon: IQMT mbyll edhe dy biznese

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka vazhduar edhe gjatë ditës së premte aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas njoftimit të IQMT-së, gjatë aksionit janë realizuar gjithsej 14 inspektime, raporton lajmi.net…

Lajme

10/07/2026 17:09

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka vazhduar edhe gjatë ditës së premte aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të IQMT-së, gjatë aksionit janë realizuar gjithsej 14 inspektime, raporton lajmi.net

Si rezultat i kontrolleve, janë mbyllur edhe dy biznese për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa dy subjekte të tjera janë gjobitur për mosrespektim të orarit të punës.

IQMT rikujtoi se të gjitha bizneset që operojnë në këtë sektor janë të obliguara të përmbushin kërkesat ligjore, duke siguruar pëlqimin për kushtet minimale teknike nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Inspektorati theksoi se do të vazhdojë zbatimin e ligjit dhe mbikëqyrjen e tregut, me synim garantimin e një tregu të rregullt, transparent dhe të sigurt./Lajmi.net/