Walesa: Man of Hope

Pas filmit, të cilin e kishte shikuar bashkë me djalin e tij, Lech Walesa ishte shprehur: “Nuk kam qenë një klloun i tillë”. Por, djali Jaroslaw ka thënë se babai disa herë i kishte kërkuar faculeta. Për t’i fshirë lotët.

ShowBiz

04/10/2013 14:41

Lech Walesa është polaku më i famshëm pas Papa Gjon Palit të Dytë, ndonëse nuk e ka më reputacionin e dikurshëm. Tash, Andrzej Wajda, regjisori më i njohur polak, shpreson t’i japë liderit të Solidarnost një lustrim shkëlqimdhënës.

Wajda, 87 vjeçar, karriera e gjatë e të cilit përfshin katër nominime Oscar për Filmin më të Mirë të Huaj (i fundit për Katyn, në 2008), e ka konsideruar këtë si filmin e tij më të vështirë. Mediat janë duke e shtruar pyetjen nëse është filmi i fundit që do ta xhirojë.

Walesa: Man of Hope flet për ngritjen e njeriut nga një elektricist në një personazh historik. Rolin e Walesës e luan Robert Wieckiewicz, kurse atë të gruas së tij Danuta, Agnieszka Grochowska.

Vija rrëfimtare lëviz mes ngjarjeve historike në kantierin detar në Gdansk dhe atmosferën shtëpiake të banesës së Walesajve, që gjithmonë është plot me fëmijë dhe gatim në kuzhinë. Kamera fokuson orën e dorës së Walesës dhe unazën e martesës, të cilat i lë në shtëpi derisa niset për në grevë. Gruaja e tij mund t’i shesë ato nëse ai nuk do të kthehet.

Wajda e ka njohur Walesën që nga ditët e Solidaritetit dhe është e dukshme se ende ka admirim për të. Filmi e përfundon trilogjinë që nisi me Man of Marble (1977) dhe Man of Iron (1981), të cilët kanë të bëjnë me ditët e para të sindikatës.

Me qëllim të mbajtjes larg të grupeve të mëdha të gazetarëve, që i vërsuleshin çdo ditë, Walesa në derën e banesës së tij vendos paralajmërimin: “Të sëmurë nga tifo: Ndalohet hyrja!”. Ai i zgjon nga gjumi djemtë e tij në mes të natës, “që të mund të shohin si autoritetet komuniste po ua marrin babanë”. Oriana Fallaci, gazetarja e njohur italiane, duket e sinqertë në moskuptimin e situatës, kur gjatë intervistimit të tij në dhomën e ditës, e pyet përkthyesin: “A është kjo shtëpia e njeriut që udhëheq sindikatën me 10 milionë anëtarë?”.

Pamjet e xhiruara në lokacionet në Gdansk kombinohen me video nga arkivi, kurse Lech Walesa i vërtetë shfaqet nga fundi i filmit. Publiku i huaj mund të mos ta ketë të qartë se çfarë ka ndodhur pastaj, pasi Wajda ndalon para vitit 1990, kur Walesa zgjidhet president dhe ka një mandat zhgënjyes. Filmi përfundon me fjalimin e tij në Kongresin Amerikan, në Washington DC, në 1989, të cilin e fillon me fjalët: “Ne, populli…”.

Filmi ka marrë pjesë në Festivalin e Venecias, në fillim të shtatorit, por premierën e shfaqjes nëpër kinema do ta ketë sot, më 4 tetor.

Pas filmit, të cilin e kishte shikuar bashkë me djalin e tij, Walesa ka deklaruar: “Nuk kam qenë një klloun i tillë”. Por, djali i tij Jaroslaw, ka thënë se babai i tij disa herë i kishte kërkuar faculeta.

Për t’i fshirë lotët.

 A.M.

Walesa. Man of Hope (Walesa. Czlowiek z nadziei)

Regjia: Andrzej Wajda

Rolet kryesore: Robert Wieckiewicz, Agnieszka Grochowska, Iwona Bielska, Zbigniew Zamachowski