VV: Thaçi e Mustafa kanë avancuar krimin e organizuar në shëndetësi

Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se problemet e fundit në Klinikën e Kardiologjisë janë produkt i skemave përfituese të klaneve që janë të lidhura me krimin e organizuar, të mbështetur nga partitë politike në pushtet.

Lajme

31/01/2016 17:14

Sipas VV-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa u kanë dhënë licenca institucioneve private, edhe vet brenda oborrit të QKUK-së, e krejt kjo me qëllim të forcimit të linjës së zhvatjes së parasë publike.

Ky subjekt politik, përmes një njoftimi për media, thotë së zgjidhja për të dalë nga kjo situatë, të cilën e quajnë kurth të krimit të organizuar, është largimi i qeveritarëve nga udhëheqja e shtetit.

“Vetëvendosje”, përgjegjës direkt për sistemin shëndetësor në Kosovë dhe problemet në të cilat ndodhet, e konsideron Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

“Zgjidhja e vetme që na nxjerr nga ky kurth i krimit të organizuar dhe shthurjes institucionale është largimi sa i më shpejtë i bartëseve të këtij mentaliteti të cilët vijojnë ende të qeverisin edhe pse kanë shkelur Kushtetutën dhe çdo ligj që i ka penguar realizimin e përfitimeve materiale”, thuhet në njoftimin e VV-së, transmeton lajmi.net

Kjo parti pohon se edhe Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa kanë dhënë licenca të institucioneve private madje dhe brenda oborrit të QKUK-së për të cilat kemi denoncuar në vijimësi.

“Tanimë po shihet qartë se kjo nuk ka qenë për të zhvilluar e përmirësuar mundësitë e shërbimeve mjekësore por për forcuar linjën e zhvatjes së parave publike”, thuhet më tej njoftimin e VV-së.

Problemi në Kardiologji, sipas VV-së, është vetëm një nga problemet e shumta në shëndetësinë e Kosovës, që sipas kësaj lëvizje, kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi kanë ndihmuar që krimi i organizuar të mirëmbahet dhe të avancohet.

Për problemet e fundit, fajin e bartin edhe drejtuesit e Shërbimit Klinik Universitar të Koso vës dhe të vet drejtori i Kardiologjisë.

“Aktorët direkt të kësaj skeme kriminale janë Sekretarët permanent nga Ilir Rracaj deri te Gani Shabani përmes Drejtorit të SHKUKS, Curr Gjocaj e deri te Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Gani Bajraktari. Secili prej tyre veç e veç e të organizuar kanë lidhje direkte për partitë në pushtet”, thuhet në njoftim.

Jo më pak përgjegjës konsiderojnë që është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, për të cilin thuhet se ka shkatërruar sektorin publik shëndetësor.

Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se fondi 6 milionësh për shërbime që nuk mund të realizohen në QKUK, e që sipas udhëzimeve shkojnë në spitalin më të afërt privat, është nyja ku skema kriminale vjedh paratë e buxhetit të shtetit dhe vë në rrezik jetën e pacientëve. /kp