VV-ja tregon pse nuk mori pjesë në tryezën e thirrur nga Kadri Veseli

Në tryezën e thirrur sot nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli nuk shkuan Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Lajme

08/05/2018 16:49

Partia e Albin Kurtit e ka refuzuar ftesën me arsyetimin se për temat e diskutuara në këto tryeza, VV-ja e ka dhënë qëndrimin e saj.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë për lajmi.net se platforma të cilën e ka propozuar Veseli kanë për qëllim vetëm humbje kohe.

Ajo edhe një herë ka kërkuar rrëzimin e qeverisë, dhe zgjedhje të reja.

“Vetëvendosja s’ka marrë pjesë, pasi temat që po propozohen për tu diskutuar ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Nuk e pranojmë këtë platformë në mënyrën si është propozuar. I kemi jap edhe idetë tona se si është rruga përpara, tashmë është e qartë se me këto platforma nuk kanë për qëllim zgjedhje të reja, por synojnë me marrë kohë pak. Kështu që ne e kemi bërë të qartë qëndrimin për zgjedhje të reja. E kemi bërë të ditur se qeveria duhet të rrëzohet për shkak të vendimeve të gabuara dhe cila prej subjekteve ka të njëjtin qëndrim, do t’i ketë votat për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë Nagaci.

Deputetja e VV-së tutje ka thënë se ende s’ka vendim nëse do ta thërrasin ata tryezën e radhës.

Nagavci theksoi se në këto tryeza nuk po flitet për tema me rezultate konkrete.

“Nuk kemi vendosur ende, sigurisht se vendimet merren në organte tona dhe diskutohen, dhe do ta shohim sa është e arsyeshme për të thirrur tryeza, pasi nuk po flitet për ndonjë rezultat konkret”, tha Arbërie Nagavci.

Ndryshe sot ishte tryeza e dytë me radhë, pasi të parën e kishte organizuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në të parën, kishte marrë pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, kurse ishte marrë vendim që tryezat e tilla të organizohen me rotacion. /Lajmi.net/