VV e Dardanës kërkon shkarkimin e Gradimir Mikiqit

Lëvizja Vetëvendosje në Dardanë është shprehur e shqetësuar për deklaratën e kryetarit të Komunës së Ranillugut.

Lajme

08/03/2015 14:03

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje thotë se ata edhe paraprakisht kishin paralamjëruar rrezikun që i kanoset Kosovës nga Lista Serbe, pjesë e së cilës është edhe Mikiq.

Ata kanë kërkuar nga MAPL që të shkarkojë Mikiqin për shkak se ai ka përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje:

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Dardanë, me shqetësim dhe indinjatë të thellë e ka pritur deklaratën e Kryetarit të Komunës së Ranillukut. “Lista Serbe” si instrument i politikës së Beogradit në Kosovë vazhdimisht po na dëshmon orientimin e politikës së saj antishqiptare.

Lëvizja Vetëvendosje me kohë ka treguar për rrezikun që po i kanoset Kosovës nga ky subjekt politik, që mundësinë e operimit të tyre në Kosovë ua dha Hashim Thaçi me marrëveshjet e Burukselit.

Mikiqi provokon edhe me tej kur propozon emërtimin e një rruge në komunën që ai drejton me emrin e kryekriminelit, shkaktarit të gjenocideve në Ballkan, Sllobodan Millosheviq.

Ne përshëndesim vendimin e Kryetarit të Komunës së Dardanës, Begzad Sinani, si hapin e parë për të ndërprerë të gjitha bashkëpunimet e mundshme me Kryetarin e Komunës së Ranillukut, Gradimir Mikiq. Ia përkujtojmë Kryetarit Sinani që hapi i dytë është ngritja e padisë në prokurorin e shtetit ndaj provokatorit Mikiq. Hapi i tretë i përket MAPL-së, që të merr masa dhe ta shkarkojë Mikiqin për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe për prishjen e raporteve ndëretnike në Anamoravë.