Vulinit duhet t’i ndërrohet mendësia

Mimoza Kusari- Lila thotë se deklaratat e Aleksandar Vulinit nuk ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Sipas saj, Vulin gjithmonë vizitat zyrtare i përdor për provokime politike. Thotë se ai nuk e ka aftësinë që të bëjë vizita në Kosovë.

Lajme

07/01/2014 14:38

Deklaratat e Ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, se “gjakovarët nuk janë njerëz”  nuk ndihmojnë në normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për lajmi.net se  Vulin është fajtori kryesor pse qytetarët serbë nuk kanë mundur të hyjnë dje në kishën e Gjakovës.

Vetë Kusari- Lila është shprehur kundër vizitës së Vulinit, dhe me anë të një letre të gjatë i kishte shpjeguar arsyet pse gjakovarët nuk do ta lejojnë Vulinin të hyjnë në Gjakovë.

“Unë vetëm mund të them se fatkeqësisht përderisa ka njerëz si Vulini, domethënë me këto deklaratat ata po e ngarkojnë situatën dhe konkretisht paralajmërimi i ardhjes së tij bëri që edhe pelegrinët të mos lejohen të hyjnë në kishë”.

“Kështu që me deklaratat e tilla ai vetëm po e rëndon situatën në kuptimin e mos normalizimit të raporteve dhe asaj që në rastin e Gjakovës ai ka qenë fajtori kryesor që përfaqësuesit që kanë dashur të hyjnë në kishën në Gjakovë nuk janë lejuar për shkak se qytetarët kanë qenë të frustruar”.

Sipas Kusarit, vizitat për qëllime fetare, Ministri Vulin po i shfrytëzon për provokime politike. Ajo thotë se ministri serb nuk e ka aftësinë për të bërë vizita në Kosovë.

“Vulin si përfaqësues i lartë ka probleme edhe nuk besoj që e ka aftësinë për vizitën e tij në Kosovë, atij së pari duhet t`i ndërrohet mendësia, ndërsa natyrisht qytetarët serbë cilët e dinë se nuk kanë qenë pjesë e regjimit të Milloshevicit ose krimeve të Milloshevicit në atë kohë, janë gjithmonë të mirëseardhur dhe ne e respektojmë edhe të drejtën e kthimit edhe të drejtën e riteve fetare natyrisht edhe traditën që gjithmonë shqiptarët e kanë dhe e kanë derën e hapur të gjithë miqtë”.

“Por në rastin konkret, ai e shfrytëzon vizitën fetare për provokime politike, bën deklarata që nuk i ndihmojnë jetës së përbashkët dhe normalizimit të raporteve me Serbinë”, ka thënë Kusari- Lila për lajmi.net.

Gjithashtu Mimoza-Kusari Lila ka thënë se Ministri serb  nuk e di se çka është aparteidi duke iu referuar deklaratave të djeshme të Aleksandar Vulinit  se në Kosovë po qeverisë “aparteidi i fundit në Europë”.