Vuçiq udhëton drejt Ukrainës

Presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëtoi për në qytetin Odesa të Ukrainës për një samit rajonal të mërkurën, hera e parë që udhëheqësi që ka raporte miqësore me Rusinë e ka vizituar Ukrainën gjatë 12 vjetëve të tij në pushtet. Në një deklaratë, zyra e Vuçiqit tha se ai do të udhëtojë në Ukrainë…

Lajme

11/06/2025 11:10

Presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëtoi për në qytetin Odesa të Ukrainës për një samit rajonal të mërkurën, hera e parë që udhëheqësi që ka raporte miqësore me Rusinë e ka vizituar Ukrainën gjatë 12 vjetëve të tij në pushtet.

Në një deklaratë, zyra e Vuçiqit tha se ai do të udhëtojë në Ukrainë për një ditë që të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Evropë Juglindore në qytetin Odesa buzë Detit të Zi, që këtë javë u ballafaqua me një sulm të madh rus me dronë e raketa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Politikanë të lartë nga 12 shtete të Evropës Juglindore pritet të marrin pjesë në këtë samit.

Edhe pse Beogradi ka refuzuar që t’u bashkëngjitet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, Serbia i ka dënuar politikat e Moskës në Kombet e Bashkuara dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.

Në të kaluarën, presidenti serb është takuar me homologun ukrainas të paktën tri herë.

Serbia e njeh Ukrainën me territorin e saj të plotë, përfshirë pjesët e kapura nga Rusia që nga viti 2014, ndërsa Kievi ka refuzuar që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në fund të muajit të kaluar, shërbimi rus për inteligjencë të jashtme, SVR, e akuzoi Serbinë për “thikë pas shpinës”, duke pretenduar se fabrikat serbe të armëve po shisnin municion dhe armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve.