Vuçiq: Prishtina kërkon njohje “de jure”, është e qartë që Kurti nuk dëshiron formimin e Asociacionit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se në Bruksel nuk pati dialog pasi sipas tij “Prishtina nuk e do atë” dhe se po kërkon njohje “De Jure” nga Serbia. “E thashë se nuk donte, apo nuk guxonte, kjo pak a shumë është gjëja e tij, por që deri tek dialogu nuk shkoi pasi nuk e…

Lajme

28/06/2024 12:04

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se në Bruksel nuk pati dialog pasi sipas tij “Prishtina nuk e do atë” dhe se po kërkon njohje “De Jure” nga Serbia.

“E thashë se nuk donte, apo nuk guxonte, kjo pak a shumë është gjëja e tij, por që deri tek dialogu nuk shkoi pasi nuk e dëshironte. Ata nuk dëshirojnë vetëm njohje “de fakto” por njohje “ de jure” kjo është ajo çka kërkojnë e dëshirojnë”, ka thënë Vuçiq për Pink.

Vuçiq gjithashtu tha se Kurti nuk dëshironte të bisedonte dhe se pala serbe donte të bisedohej për çdo marrëveshje dhe se si me kompromis të arrihet të zgjidhen problemet.

“Por e dija dhe më herët mirë se ata për këtë nuk ishin të gatshëm, pasi gjëra të tilla nuk u interesojnë”.

Tutje ai vazhdoi edhe me fushatë propaganduese se në Kosovë ka “persekutim të serbëve dhe se për këtë e di edhe Bashkësia Ndërkombëtare, por që hesht se nuk e dinë se çfarë mund të bëjnë me Kurtin”.

“Serbët arrestohen siç vijnë. Kur një person e mbajmë dy orë pasi dyshohet për krime lufte ndaj serbëve, e mbajnë tri orë në autobus, atëherë mbarë bashkësia ndërkombëtare çohet në këmbë, reagojnë dhe europarlamentarë të shumtë. Është tërësisht e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin. E rëndësishme është të ruajmë paqen dhe gjakftohtësinë dhe tek paqja kërkojmë zgjidhjen më të mirë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Serbisë, forcimin e Serbisë në çdo sferë të jetës shoqërore”, ka pretenduar Vuçiq.

Gjithashtu ai tha se nuk beson që në periudhë të shpejtë do ët mund të ketë dialog serioz, teksa është munduar që për çdo gjë të fajësojë palën kosovare.

Ai ka komentuar edhe Parlamentin e Spanjës që diskutoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se “rezultat i tillë ishte i pritshëm”.

“Vendim i pritshëm dhe faleminderit miqve tanë spanjollë ku treguan se janë miq dhe respektojnë të drejtën publike ndërkombëtare”./Lajmi.net/