Vuçiq nga Brukseli: Kosova nesër aplikon në Këshillin e Evropës, do ta mbledhim Këshillin e Sigurisë
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas darkës joformale në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor ka folur para mediave për mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lajme
Ai ka thënë se për këtë veprim, Serbia do të mbledh Këshillin Kombëtar të Sigurisë brenda 36 orëve të ardhshme.
Duke u deklaruar para mediave, Vuçiq ka thënë se ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka konfirmuar se Kosova nesër do të aplikojë për anëtarësim në KE, gjë që ai e ka quajtur “të patolerueshme për Serbinë”.
“Do të nisim reagimet politike. Nëse dikush mendon se mund të na shantazhojë dhe ta thyejë Serbinë me presion, nuk do të jetë aq lehtë siç mund të imagjinohet”, ka deklaruar ai.
Tutje, Vuçiq ka thënë se aplikimi i Kosovës në KE përbën shkelje të marrëveshjeve.
“Situata është shumë komplekse për ne dhe nesër do të bëhet edhe më e rëndë sepse zonja Gërvalla ka konfirmuar që ajo do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Është një shkelje e të gjitha marrëveshjeve, por ata s’po heqin dorë sepse thonë se janë shtet i pavarur. Po përballemi me një situatë të rëndë sepse ata po përdorin situatën në Ukrainë duke na akuzuar si një dorë e zgjatur e Rusisë”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve.