Vuçiq krah për krah me Lunen, të arrestuarin për sulme terroriste nga PSRK

Miku i Vuçiq, Milun Milenkoviq, në kuadër të detyrave që kishte në grupin terrorist, ishte përgjegjës edhe për vrojtim të Liqenit të Ujmanit. Ai ishte vendosur në një objekt afër Kryqit të Kuq, ku përveç se ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të dyshimta, kishte të fshehur edhe një sasi armësh për luftë eventuale. Presidenti i…

Lajme

15/05/2025 20:31

Miku i Vuçiq, Milun Milenkoviq, në kuadër të detyrave që kishte në grupin terrorist, ishte përgjegjës edhe për vrojtim të Liqenit të Ujmanit. Ai ishte vendosur në një objekt afër Kryqit të Kuq, ku përveç se ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të dyshimta, kishte të fshehur edhe një sasi armësh për luftë eventuale.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar me rastin e arrestimit të Milenkoviq, se “ky është një provokim i Albin Kurtit, me të cilin provon që të nxisë luftë në zemër të Evropës”.

Deklarata e ashpër e kreut serb nuk do të ishte kuptuar drejt, duke u quajtur më shumë politik para afër dy vjetësh, kur në bazë të akuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës ishte arrestuar Milenkoviq.

Megjithatë, sipas një hulumtimi, është vërtetuar se Vuçiq ka pasur lidhje të veçantë me Milenkoviq, i cili ka qenë njëri nga udhëheqësit e organizatës terroriste Mbrojtja Civile.

Gjatë vizitës në Ujman që Vuçiq pati bërë në shtator 2018, ai kishte ndaluar së biseduari edhe me Milenkoviq në objektin e një qendrore kreative sportive në Liqenin e Ujmanit. Foto më poshtë e bërë nga Evropa e Lirë është nxjerrë nga takimi i përzemërt i Vuçiq me Lunen, ku shihet se i ka vënë dorën në krah.

Madje, sipas të përditshmes serbe Danas, objekti i Lunes, “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit në Zubin Potok, të cilën e hapi presidenti i Serbisë, në fillim të vizitës së tij dyditore në Kosovë, sipas gazetës Danas, nuk ekziston në kuptimin juridik. Megjithatë, edhe pse kjo qendër nuk është e regjistruar si person juridik, Qeveria e Serbisë i ka kaluar asaj rreth 450 mijë euro gjatë viteve të fundit”.

Në Dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës të pandehur për sulmin terrorist të 6 dhjetorit 2022, thuhet se ai ka rezistuar gjatë arrestimit që i është bërë më 13 qershor 2023.

Besohet se Lune ishte stërvitur në Nish, në të ashtuquajturën “Qendra Humanitare Serbo-Ruse”, e njohur botërisht edhe si qendër spiunazhi e Moskës për Ballkanin Perëndimor.

Vuçiq nuk e kishte mik vetëm Lunen. Ditën kur ishte takuar me Lunen, ishte pritur edhe nga Stevan Paviçeviq, i cili ishte po ashtu njëri nga udhëheqësit e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”.

Paviçeviq, përveç shumë sulmeve, ka marrë pjesë edhe në sulmin e majit të vitit 2023 ndaj paqeruajtësve të NATO-s/KFOR në Zveçan. Danas ka siguruar një fotografi që e dëshmon pjesëmarrjen e tij në këtë sulm.