Vuçiq i paralajmëron ambasadorët serbë se “ka nisur një valë e njohjeve të Kosovës”: Të veprojmë, jemi mbështetur për muri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi sot në Konferencës së Ambasadorëve se ka nisur një valë e re e njohjeve të Kosovës. Vuçiq tha se roli i përfaqësuesve të shteteve në vende të ndryshme po ndryshon me ndryshimet e mëdha në botë. Ai tha se në vende në Amerikën e Jugut, në Afrikë, por edhe…

Lajme

24/12/2025 12:02

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi sot në Konferencës së Ambasadorëve se ka nisur një valë e re e njohjeve të Kosovës.

Vuçiq tha se roli i përfaqësuesve të shteteve në vende të ndryshme po ndryshon me ndryshimet e mëdha në botë.

Ai tha se në vende në Amerikën e Jugut, në Afrikë, por edhe në Azi, ambasadorët serbë duhet ta forcojnë praninë e tyre për t’i parandaluar njohjet e Kosovës.

“Pozita e ambasadorit dhe pozita e shefit të përfaqësisë së Serbisë nuk mund të jetë çështje komoditeti dhe konformizmi personal, por duhet të jetë çështje e luftës së vazhdueshme ditore për interesat e Republikës së Serbisë. Me këtë nënkuptoj një luftë reale dhe të sinqertë, e jo përpjekje për t’i pëlqyer vendit pritës”, tha Vuçiq.

Presidenti serb, siç shkruan gazeta “Danas”, i porositi ambasadorët që t’u thonë vendeve që e kanë njohur Kosovën se ajo “është pjesë e Serbisë”.

“Këtë nuk do ta ndryshoni as ju dhe as ata, prandaj ju lutem të mos kemi debate për këtë, përndryshe nuk e keni përfaqësuar politikën tonë”, tha ai.

Vuçiq theksoi se ka nisur edhe një valë e re e njohjeve të Kosovës nga faktorë rajonalë dhe botërorë, duke shtuar se për njohjen nga Sudani dhe Siria, ndikimi i Turqisë dhe i Arabisë Saudite është i qartë.

“Bëhet fjalë për pretendime të huaja jo vetëm ndaj territorit tonë, por edhe ndaj gjithë hapësirës rajonale, dhe këtu ne duhet të jemi plotësisht të qartë dhe të paekuivokë”, tha ai.

Ai u kërkoi ambasadorëve angazhim për të siguruar “çnjohje” të Kosovës.

“Ne kemi disa gjëra të caktuara në kasafortën tonë; është çështje momenti kur do t’i tregojmë dhe do t’i bëjmë publike, dhe jemi përmbajtur nga publikimi për të mos i lënduar të mëdhenjtë, sepse ata kanë mundësi presioni ndaj tyre. Nuk ka më arsye për këtë, ne jemi të mbështetur për muri dhe do të luftojmë për tonat”, tha ai.