Vuçiq do paqe me shqiptarët, por pa e njohur Kosovën

Kryeministri i sapozgjedhur serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të hënën se kabineti i tij qeveritar, i votuar të dielën në mbrëmje nga Kuvendi, nuk është përgjegjës për problemin e Kosovës, dhe se çdo ditë e moszgjidhjes së këtij problemi i ka kushtuar shumë shtrenjtë Serbisë.

Lajme

28/04/2014 15:34

Përpara vizitës së ndërmjetësueses së Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, baroneshës Catherine Ashton, në Beograd, Vuçiq ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë, porse Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk jemi përgjegjës për problemin e Kosovës, ndërkaq çdo ditë e zgjidhjes së tij na ka kushtuar me thellim të krizës në vend. Nuk do ta njohim Kosovën, por duam të jetojmë në paqe me shqiptarët. Procesi do të vazhdoj dhe unë, personalisht, do ta përfaqësoj Serbinë në bisedimet në Bruksel”, ka thënë Vuçiq.

Para arritjes në  Beograd, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ashton, ka deklaruar se Serbia ka bërë përparim mbresëlënës në rrugën e saj evropiane, gjatë viteve të kaluara, posaçërisht kur bëhet fjalë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për pranim, si dhe me fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“I gëzohem bisedimeve me qeverinë e re për sfidat e ardhshme”, ka thënë Ashton, para vizitës në Beograd, gjatë së cilës do të bisedojë me zyrtarët serbë, si dhe do t’i drejtohet Kuvendit të Serbisë.