Vuçiq ka përjashtuar mundësinë e një kandidimi tjetër: Nuk jam diktator, jam vetëm 18 muaj President

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përjashtuar mundësinë e një kandidimi tjetër për postin e presidentit, duke deklaruar se nuk ka aspak ndër mend të ndërhyjë në Kushtetutë për të siguruar një mandat të tretë. Gjatë një konference për shtyp në Beograd me kancelarin austriak, Christian Stocker, Vuçiq theksoi se mandati i tij aktual do…

Lajme

13/08/2025 20:07

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përjashtuar mundësinë e një kandidimi tjetër për postin e presidentit, duke deklaruar se nuk ka aspak ndër mend të ndërhyjë në Kushtetutë për të siguruar një mandat të tretë.

Gjatë një konference për shtyp në Beograd me kancelarin austriak, Christian Stocker, Vuçiq theksoi se mandati i tij aktual do të përfundojë brenda një periudhe prej rreth 18 muajsh.

“Jam prej kohësh pjesë e skenës politike dhe nuk do të rikandidoj. Nuk kam asnjë qëllim të ndryshoj Kushtetutën për qëllime personale. Nuk jam diktator, siç më paraqesin shpesh disa media në Austri.” u shpreh ai.

Sa i përket zgjedhjeve në Serbi, Vuçiq bëri të ditur se ato pritet të shpallen më herët sesa afati i përcaktuar me ligj, por nuk ofroi një datë konkrete. Ai sqaroi se kjo çështje i takon institucioneve përkatëse.

“Do të mbështes njerëzit që mendoj se kanë potencial për ta çuar vendin përpara dhe do të angazhohem për suksesin e tyre. Pozicioni im i ardhshëm nuk është temë diskutimi tani.” shtoi presidenti serb.

Vuçiç gjithashtu komentoi mbi protestat dhe pakënaqësitë e shprehura në vend, duke i cilësuar si pjesë normale e një demokracie, për sa kohë që ato zhvillohen pa dhunë.