Vucic e di kush i sulmoi vendvotimet

Akeksandar Vucic ka thënë se shërbimet serbe të zbulimit i kanë të gjitha të dhënat se kush qëndron prapa sulmuesve dhe ato do t’i jepen të gjithë atyre që u interesojnë t’i kenë.

Lajme

08/11/2013 08:37

Politikanët në Beograd dhe grupet radikale politike në Veri të Kosovës janë zhytur në një polemikë rreth asaj se kush e shkaktoi dhunën në vendvotimet në Mitrovicën e Veriut, më 3 nëntor.

Pak ditë pasi njëri nga liderët e serbëve të veriut dhe avokati më i madh i bojkotit të zgjedhjeve, Marko Jaksic akuzoi Zëvendës kryeministrin serb Aleksandar Vucic se qëndron prapa personave me maska, ky i fundit reagoi duke thënë se i ka informacionet se kush i sulmuar këto vendvotime.

Vucic ka thënë se shërbimet serbe të zbulimit i kanë të gjitha të dhënat se kush qëndron prapa sulmuesve dhe ato do t’i jepen të gjithë atyre që u interesojnë t’i kenë.

“Nuk kam çka të fsheh. Të gjithë e dinë kush dhe çka bëri në Mitrovicë”, tha Vucic

“Ne nuk e kemi problem të themi se ekziston një lob i gjerë dhe i madh për bojkotim të zgjedhjeve. Ata njerëz zgjedhin të ardhmen e tyre. U përket atyre të vendosin për të ardhmen e tyre. Ne nuk kemi pse të brengosemi për këtë, as nuk kemi çka të themi. Nëse ata duan ta kenë Agim Devën për Kryetar të Komunës, atëherë Kryetar i tyre do të jetë Agim Deva”, tha ai duke iu referuar kandidatit të PDK’së për Kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Sipas Vucic, në zgjedhjet lokale në Kosovë, në pjesën jugore të vendit, kanë dalë 30.568 serbë gjë e cila, siç ka thënë ai, paraqet rekord të pjesëmarrjes.

“Ne padyshim se do ta formojmë Bashkësinë e Komunave Serbe. Për siguri mund të them se do të jenë nëntë komuna. A do të jetë aty edhe komuna e dhjetë apo jo, kjo është pyetje që duhet t’u bëhet njerëzve që jetojnë atje poshtë (në Mitrovicën e Veriut)”, tha Aleksandar Vucic.