Vrasjet që tronditën Kosovën gjatë 2025-ës

Në vitin 2025, Kosova u trondit nga një valë vrasjesh që shkaktuan pasiguri dhe shqetësim të madh tek qytetarët. Një nga ngjarjet më të rënda ishte vrasja e Selami dhe Edmond Hasanit, babë e bir, si dhe vrasja e Abedin Hoxhës. Për këto krime dyshohen Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonisi dhe Engjëlli,…

Lajme

02/01/2026 11:49

Në vitin 2025, Kosova u trondit nga një valë vrasjesh që shkaktuan pasiguri dhe shqetësim të madh tek qytetarët.

Një nga ngjarjet më të rënda ishte vrasja e Selami dhe Edmond Hasanit, babë e bir, si dhe vrasja e Abedin Hoxhës. Për këto krime dyshohen Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonisi dhe Engjëlli, të cilët ndodhen në arrati që nga 10 gushti 2025.

Policia e Kosovës i ka futur të tre të dyshuarit në listën e ndalimit (stop-listë), por deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për lokalizimin apo arrestimin e tyre.

Sipas dyshimeve, treshja është e përfshirë në ekzekutimin e Selami dhe Edmond Hasanit, si dhe të Abedin Hoxhës. Motivet e këtyre vrasjeve ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, megjithatë fajdeja përmendet si një nga shkaqet e mundshme. Dy anëtarët e familjes Hasani humbën jetën në vendin e ngjarjes, pasi u qëlluan me armë zjarri, ndërsa viktima e tretë ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

Mefail Shkodra, emër i njohur për shtetin

Dosja penale e Mefail Shkodrës është e pasur me vepra të ndryshme, për çka është përballur dhe me aktakuza e dënime

I arrestuar për fajde bashkë me të birin Edonisin, ata ishin liruar në tetor të vitit të kaluar, pasi u pranua propozimi për dorëzaninë, të kërkuar nga Prokuroria Speciale, në vlerë prej 70 mijë euro, 50 për Mefailin dhe 20 mijë për djalin.

Ndaj tij, ekzistojnë tri aktgjykime dënuese në Gjykatën Themelore në Gjilan, institucion ky që pas rastit njoftoi se nuk ka lëndë aktive ndaj Shkodrës. Sipas evidencës, ai ka qenë i gjykuar më parë në tre raste penale.

Qetësinë në Kosovë, në gusht e prishën të shtënat me armë, që lanë të vdekur një person në Hajvali të Prishtinës.

Pak orë para mesnatës, Hajvalia u trondit nga krismat, ku Muhamet Matoshi mbeti i vrarë.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore e Prishtinës, kishte deklaruar se i dyshuari është Xhemajl Nuhiu, i cili u arrestua në tetor të vitit 2025.

Sipas raportimeve të Top Channel, Nuhiu është arrestuar nga skuadra e gjurmimit të të kërkuar në policinë Metropolitane në Londër.

Gjithnjë sipas këtyre raportimeve, ka nisur procesi i ekstradimit të të dyshuarit. Pas aktit të vrasjes, Nuhiu kishte arritur të arratisej, derisa Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes pati gjetur një gëzhojë armë zjarri.

Një ngjarje tjetër e rëndë ishte raportuar po në muajin gusht të vitit 2025, në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një person ishte gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati. Viktima ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.

“Më datën 05.08.2025 është bërë identifikimi i plotë i trupit dhe ishte Enver Bajraktarit. Është kryer autopsia dhe janë në proces intenziv hetimet në këtë çështje. Megjithatë, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të hollësishme”, kishte deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

I ndjeri, që njihej në fshat si “Veli” u gjet i groposur midis arës me misër, mbi 1 kilometër larg shtëpisë së tij.

Enver Bajraktari
Enver Bajraktari

Top Kolshi, i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit, në Baicë të Lipjanit, në seancën dëgjimore të mbajtur më 13 gusht 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë deklarimit kishte thënë se nuk kishte qëllim që ta vriste viktimën dhe se viktima kishte qenë në pronën e tij dhe e kishte sulmuar në pronën e tij.

Sipas vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Kolshi kishte deklaruar se është penduar për veprën që ka kryer.

Emisioni MAT përmes një dokumentari solli detaje të reja mbi vrasjen që tronditi Baicën e Lipjanit, gushtin e 2025-tës.

Derisa, 27-vjeçari, Agon Zejnullahu vdiq në Lipjan, në orët e hershme të hënën e 7 korrikut të vitit 2025, gjatë ndalimit nga policia.

Po atë muaj, Gjykata e Apelit kishte njoftuar së është anuluar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Lipjan dhe ishte kthyer në rivendosje çështja kundër pesë zyrtarëve policorë.

Në njoftimin e kësaj gjykate thuhej se janë aprovuar aneksat e mbrojtësve të policëve.

Para stacionit policor në Lipjan u zhvillua edhe një protestë për Agon Zejnullahun.

Vëllai i tij Albani, kishe deklaruar se si familje kërkojnë hetim të plotë, dhe se nuk do të dorëzohen së kërkuari drejtësi, transmeton Klankosova.tv.

“Drejtësi për Agonin. Të dashur pjesëmarrës, të gjithë ju që jeni sot këtu, me zemër plot dhimbje por me qëllim të pastër e paqësor, ju falënderoj për praninë tuaj. Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi, sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Jemi këtu sepse dhimbja e familjes së Agonit është dhimbje kolektive, sepse heshtja vret për herë të dytë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simboli i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Ai është kujtimi që na bënë thirrje të mos mbyllim sytë, të mos dorëzohemi që të kërkojmë të vërtetën”, ishte shprehur Albani.

Një tjetër vrasje që tronditi opinionin publik ndodhi më herët gjatë vitit.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, u vra mbrëmjen e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Në Dosjen e Prokurorisë u bënë të ditura detaje nga ekzekutimi i Muhamed Likës, si dhe detaje nga funksionimi i grupit kriminal që kreu vrasjen në Kaçanik.

Sipas Prokurorisë, polici i ndjerë ishte përcjellë në vazhdimësi nga të dyshuarit derisa është futur në objektin e ndërtesës, e më pas nga mbrapa i mituri ka shkuar dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Pas kryerjes së aktit, i pandehuri Diamanti ka ndihmuar të miturin Rejhan të largohet nga vendi i ngjarjes kurse i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes shkon në vendin e ngjarjes ndërsa pas dy minutave largohet.

I pandehuri Diamant Gashi përmes telefonin kishte kontaktuar të pandehurin Haki Bela dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë më ushqim dhe gjëra të tjera të miturit Rejhan Bela.

“I mituri pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i pandehuri Haki Bela i cili e përcjell zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar prapa pas kryerjes së veprës penale nga i mituri Rejhan rreth 14 minuta prapa vije nga afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar”, shkruhet në dosjen e prokurorisë.

Ndryshe, Prokurori i Shtetit konsideron se pesha e kësaj vepre penale të kryer është e karakterit shumë të rëndë, e për të cilën vepër është paraparë edhe nga ligjvënesit dënimi me burgim me më se paku 10 vite ose burgim të përjetshëm.

Opinionisti, Vehbi Kajtazi kishte zbuluar detaje ekskluzive lidhur me ngjarjen tronditëse.

Kajtazi zbuloi se i ndjeri më 2003 kishte arrestuar njërin prej 7 personave që tashmë janë arrestuar lidhur me organizimin dhe vrasjen e tij. Ata ishin të dyshuar për shkak të afisheve të vendosura në Kaçanik, ku bëhej thirrje kundër festimit të Vitit të Ri dhe se ka pasur edhe persona të ndaluar për djegjen e bredhit në Han të Elezit.

“Këto dy ngjarje konsiderohen që janë të lidhura njëra me tjetrën dhe fakti qe është arrestuar nga Lika.. kjo i jep një motiv shtesë vrasjes së tij”, kishte deklaruar Kajtazi.

Ai tutje ishte shprehur se dy ditë para se të vritej, i dyshuari Rejhan Bela ishte ndaluar në një pikë kontrolli të Policisë së Kosovës diku në Kaçanik dhe ka ikur nga duart e policisë, por aty në vendngjarje i ka rënë telefoni, i cili është marr nga policia dhe është dërguar në stacion.

“Pas disa orësh në stacion ka shkuar babai i të dyshuarit dhe e ka kërkuar telefonin, ndërkaq Lika i kishte thënë se atje duhej të shkonte i biri për të dhënë deklaratë dhe pastaj ta merrte telefonin, duke qenë se për Rejhan Belën kishte dhe urdhërarrest nga gjykata për një masë edukative për të mitur, të cilin ai nuk e kishte respektuar”.

“Babai ka treguar të birit për fjalët e Likës, madje i është drejtuar me fjalët ‘ai qeni”, ndërkaq  djali i kishte thënë “hajt se e rehatojmë”. Këto informata janë siguruar gjatë hetimeve”, kishtedeklaruar Kajtazi.

Derisa, Bedri Elezi, eksperti i sigurisë, ishte deklaruar për rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika, i cili u privua nga jeta më 1 prill në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Ai kishte zbuluar se partnerja e njërit nga të dyshuarit për vrasjen e Likës, është lutur për zgjidhje, lidhur me situatën.

“Njëra nga të fejuarat ose të dashurat e të arrestuarit, e cila kishte kërkuar lutje të gjithë vëllezërve mysliman në këtë grup në lidhje me atë që po ndodh siç kishte thënë bashkëshortit të saj”.