Vrasje dhe vetëvrasje- Krejt çfarë dihet për ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në Vushtrri

Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Vushtrri, ku si shkak i përdorimit të armës së zjarrit u vranë dy persona. Një 58 vjeçar dyshohet se vrau një grua 42 vjeçare, e më pas qëlloi edhe veten. Sipas informacioneve të para në Stanovc të Vushtrrisë i dyshuari në këtë rast ka vrarë një…

Lajme

25/03/2025 08:33

Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Vushtrri, ku si shkak i përdorimit të armës së zjarrit u vranë dy persona.

Një 58 vjeçar dyshohet se vrau një grua 42 vjeçare, e më pas qëlloi edhe veten.

Sipas informacioneve të para në Stanovc të Vushtrrisë i dyshuari në këtë rast ka vrarë një grua e më pas ka qëlluar veten derisa krimi theksohet të jetë kryer në një nënkalim.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, dorazi ishte 58 vjeçar me inicialet A.M kurse gruaja e cila u vra ishte 42 vjeçare me inicialet N.H.

“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten”, ka deklaruar Zahiti të hënën.

Zyrtarët policorë kanë konfiskuar edhe një armë nga vendi i ngjarjes ndërsa me urdhër të prokurorit, dy trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Nga kjo prokurori kanë thënë se po intervistojnë dëshmitarë lidhur me rastin dhe se po hetojnë të gjitha rrethanat që kanë çuar tek kjo ngjarje tragjike.

“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

E në pamjet e bëra publike nga mediat është parë se në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe bashkëshorti i gruas së vrarë- i cili ishte në gjendje të rëndë emocionale.

E një nga familjarët e viktimës foli para mediave ku tha se dyshohet që vrasja ka ndodhur për shkak se viktima kishte ndërruar vendin e punës dhe nuk punonte më tek i dyshuari.

“Nuk ka pasur ndonjë lidhje familjare. Ka qenë grua shembullore. Viktima dhe bashkëshorti i saj kanë punuar vite më parë te biznesi i të dyshuarit. Nuk janë burrë e grua. Rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja nuk i dimë akoma. Por dyshohet se shkaku kryesor të jetë xhelozia se pse ka shkuar në një vend tjetër pune dhe e ka lënë tek unë”, deklaroi Ajeti para gazetarëve.

Ai tha se në biznesin e të dyshuarit (furrë buke), kishte punuar edhe bashkëshorti i të ndjerës.

“Para një kohe kanë qenë punëtorë të këtyre me gjithë bashkëshortin por rrethanat se si kanë ardhë deri te vrasja nuk i dijmë as ne si familje. Kërkojmë mirëkuptimin e juaj që familjarët të mos shqetësohen. Gruaja ka qenë rreth të 40-ave, probleme nuk ka pasë. Dhashtë Zoti të jetë viktima e fundit. Sipas një informate xhelozia se përse ke shku te një tjetër vend me punue dhe jo te unë.”, ka thënë ai.

Ngjarja tragjike erdhi një ditë pasi në Vushtrri një 19 vjeçar u qëllua me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij e si shkak i plagëve të marra ndërroi jetë.

Në lidhje me këtë rast u arrestua i dyshuari 19 vjeç, kurse dje atij i është vendosur masa prej një muaji paraburgim.

“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën ‘Galip Badivuku’ në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë”, ka deklaruar Prokuroria për ngjarjen”./Lajmi.net/