Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagon Gjykata e Lartë: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë së Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, e ndodhur sot rreth orës 15:00 brenda ambienteve të gjykatës në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, trupi gjyqësor shprehet i tronditur dhe kanë shprehur dhimbjen e thellë…

Lajme

06/10/2025 19:59

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë së Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, e ndodhur sot rreth orës 15:00 brenda ambienteve të gjykatës në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, trupi gjyqësor shprehet i tronditur dhe kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e jetës së kolegut të tyre.

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij,” thuhet në deklaratë.

Gjykata e Lartë e cilësoi këtë ngjarje të rënda si një sinjal alarmi për sigurinë e gjyqtarëve dhe gjendjen e infrastrukturës së gjykatave.

“Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare,” theksohet në deklaratë.

Ajo nënvizon se në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar, jo vetëm nga pikëpamja fizike dhe infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike që respekton figurën e tij.

“Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor,” theksohet më tej në deklaratë.

Trupa gjyqësore vlerëson se garantimi i sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, duke kërkuar veprime të menjëhershme dhe të qëndrueshme.

“Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës,” përfundon deklarata, duke bërë thirrje për reforma të shpejta dhe efektive për të siguruar mbrojtjen e profesionistëve të drejtësisë.