“Vota jote për Kosovën 2025” – KQZ miraton sloganin për fushatën e informimit publik për zgjedhjet e shkurtit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të martën, ka marrë vendim për mbylljen e qendrave të votimit në të përfaqësitë diplomatike në tre shtete, Kabera në Australi, Ankara të Turqisë dhe Iowa në SHBA. Në këtë mbledhje gjithashtu u miratua edhe dizajni dhe slogani për fushatën e informimit publik. Anëtari i KQZ-së, Arianit…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të martën, ka marrë vendim për mbylljen e qendrave të votimit në të përfaqësitë diplomatike në tre shtete, Kabera në Australi, Ankara të Turqisë dhe Iowa në SHBA.
Në këtë mbledhje gjithashtu u miratua edhe dizajni dhe slogani për fushatën e informimit publik.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se slogani i propozuar është “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, vota jote për Kosovën 2025”.
Në mbledhjen që ka mbajtur KQZ të martën, po ashtu ka akredituar vëzhguesit e dhjetëra përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare. Në mesin e të akredituarve ishin edhe organizata jo-qeveritare vendore dhe vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Në përgjithësi, KQZ akreditoi grupin e radhës prej 1 mijë e 680 vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, prej të cilëve 13 vëzhgues nga trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë, 1 mijë e 126 vëzhgues nga OJQ-të vendore, 393 vëzhgues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Nga numri i përgjithshëm i të akredituarve, KQZ akreditoi rreth 400 vëzhgues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat janë të specializuar në fushën e zgjedhjeve, në mesin e të cilave: Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-ËEB), IFES, International IDEA, National Demokratic Institute (NDI), International Republican Institute (IRI), Zyra e BE-së në Kosovë, etj.
Po ashtu, KQZ ka akreditoi më shumë se 80 vëzhgues të ambasadave të ndryshme në Kosovë, 24 prej të cilëve nga ambasada e SHBA-ve dhe 30 të tjerë nga ajo e Britanisë së Madhe.
Edhe ambasadat e shteteve tjera si ajo e Francës, Italisë, Holandës, Japonisë, Finlandës, Suedisë dhe Turqisë, u akredituan nga KQZ.
Sipas njoftimit të KQZ-së, zgjedhjet e 9 shkurtit do të vëzhgohen edhe nga institucione zgjedhore nga shtete të ndryshme, si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bullgaria.