Vota e Ndryshimit dhe Ndëshkimit

Qytetarët treguan se dinë të vlerësojnë dhe të ndëshkojnë. Përveç Prizrenit, në të gjitha qytetet e mëdha u ndërruan Kryetarët. Kjo ishte votë e ndryshimit, në një proces të mirë zgjedhor.

Lajme

02/12/2013 01:00

Qytetari i Kosovës ka bërë ndryshime radikale, duke e pikturuar tablonë politike me ngjyra krejtësisht të reja.

Me votën e tij, të hedhur më 3 nëntor dhe 1 dhjetor, ai ka ndëshkuar ashpër pushtetet komunale, ka treguar se di të vlerësojë dhe të dënojë, e liderëve politikë ua ka dhënë mesazhin të qartë.

Në një proces të mirë zgjedhor, ndryshime të mëdha kanë ndodhur pothuajse në të gjitha Komunat, në tërë territorin e Kosovës.

Përveç Prizrenit, të gjitha qytetet e mëdha kanë ndërruar Kryetarët.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 10 Komuna – Prizrenin, Skenderajn, Kamenicën, Klinën, Kaçanikun, Vushtrrinë, Dragashin dhe Shtimen. Por, ka humbur qytete të rëndësishme si Mitrovicën e Jugut, Gjilanin e Ferizajn.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 9 Komuna – Gjilanin, Pejën, Istogun, Podujevën, Fushë Kosovën, Suharekën, Lipjanin, Ferizajn dhe Vitinë. Mirëpo, ka pësuar goditjen më të madhe me humbjen e Prishtinës, të cilën e ka qeverisur pothuajse për 14 vjet.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka humbur qendra të rëndësishme, që konsideroheshin bastione të saj në Dukagjin – Pejën dhe Gjakovën, e po ashtu është përshëndetur edhe me Suharekën. Ka mbajtur të vetat Deçanin dhe Junikun, ndërsa ka fituar edhe Obiliqin.

Festa e Kryeqytetit, ndërkaq, i ka takuar Lëvizjes Vetëvendosje. Duke fituar Prishtinën, por duke humbur në të gjitha Komunat tjera në Kosovë, ky subjekt politik ka marrë ajkën e pushtetit lokal në vitin 2013.

Aleanca për Kosovën e Re, më në fund, ia ka dalë t’i fitojë dy qytete të mëdha – Gjakovën dhe Mitrovicën e Jugut, e para e pritshme, ndërsa e dyta befasuese.

Në nivel nacional, sipas votës që kanë marrë për asambletë komunale, PDK është partia e parë, LDK e dyta, AAK e treta, ndërsa me shkëputje më poshtë renditen VV e katërta dhe AKR e pesta.

 

Rezultatet Preliminare të KQZ’së për Kryetarë të Komunave

 

Gjakovë: AKR – 52.50 %,  AAK –  47.50 %

Gjilan: LDK – 60.05 %, PDK – 39.95 %

Dragash: PDK – 60.77 %, LDK – 39.23 %

Klinë: PDK – 75.26 %, AAK – 24.74 %

Kamenicë: PDK – 55.28 %, LDK – 44.72 %

Mitrovicë e Jugut: AKR – 52.18 %, PDK – 47.82 %

Lipjan: LDK – 53,91%, PDK – 46,09%

Novobërdë: Lista Srpska – 56.55 %, LDK – 43.45 %

Obiliq: AAK – 54.86 %, LDK – 46.14 %

Rahovec: PDK – 52.48 %, AAK –  47.52 %

Pejë: LDK – 56.48 %, AAK – 43.52 %

Prishtinë: VV – 51.73 %, LDK –  48.27 %

Prizren: PDK – 53.33 %, LDK – 46.67 %

Shtërpcë: SLS – 56.04 %, Lista Srpska – 43.96 %

Suharekë: LDK – 53.42 %, AAK – 46.58 %

Ferizaj: LDK – 50.96 %, PDK – 49.04 %

Viti: LDK – 58.89 %, PDK – 41.11 %

Vushtrri: PDK – 56.21 %, AAK – 43.79 %

Malishevë: IQM – 65.20 %, LDK – 34.80 %

Junik: AAK – 62.38 %, LDK – 37.62 %

Graçanicë: Lista Srpska – 58.67 %, SLS 41.33 %

Ranillug: Lista Srspka 52.00%, SNPK – 48.00 %

Partesh: Lista Srpska – 52.92 %, SLS – 47.08 %

Kllokot: Lista Srpska – 54.40 %, SLS – 45.60 %

Mitrovica e Veriut: Lista Srpska – 55.20 %, GI SDP – 44.80 %