Vorbulla polare në SHBA dhe Kanada
Temperaturat pritet që të ulen edhe më shumë në SHBA dhe Kanada. Ato mund të arrijnë deri në -51 gradë celsius, rekord i cili ka vite që nuk ka ngjarë.
Bota
Temperaturat në disa pjesë të SHBA’ve dhe në Kanada kanë arritur në shifra rekorde dhe tashmë përveç stuhisë Hercules, SHBA dhe Kanada do të goditet nga “vorbulla polare”, duke sjellë kështu një mot edhe më të acartë.
Kjo stuhi dimërore që ka goditur shtetet verilindore të Amerikës dhe disa rajone të Kanadasë ka bërë që lartësia e borës të arrijë deri në 60 centimetra.
Sipas meteorologëve amerikanë, temperaturat në veri dhe në qendër të SHBA’së mund të arrijnë deri në -51 gradë celsius, e cila do të shoqërohej me një erë të fortë drithëruese.
Ulja e temperaturave është shkaktuar si pasojë e “vorbullës polare”, e cila zakonisht godet vetëm Kanadanë, por këtë herë pritet që të godasë edhe Amerikën.
Vorbulla ka qenë shumë e fortë dhe ajri i ftohtë ka kohë që vjen nga Arktiku në Kanada.
Temperatura kaq të ulëta ka vite që nuk ka ngjarë në SHBA.
Stuhia dimërore ka shkaktuar vdekjen e 16 personave, mbylljen e shkollave dhe anulimin e më shumë se 3.500 fluturimeve vetëm këtë javë në Amerikë.