​Vonesa në formimin e institucioneve të reja mban peng miliona euro për Kosovën

Mosformimi i institucioneve të reja në Kosovë – edhe tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – po ia humb vendit agjendën e integrimeve evropiane, thonë njohësit politikë. Sipas tyre, ngërçi në Kuvend i pamundëson vendit marrjen e këstit të parë prej 61 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për…

Lajme

30/04/2025 11:22

Mosformimi i institucioneve të reja në Kosovë – edhe tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – po ia humb vendit agjendën e integrimeve evropiane, thonë njohësit politikë. Sipas tyre, ngërçi në Kuvend i pamundëson vendit marrjen e këstit të parë prej 61 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

Edhe një muaj pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, deputetët e zgjedhur tetë herë radhazi kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën ekskluzive që të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Mirëpo, deputetja Albulena Haxhiu, si e propozuar nga ta, ka dështuar gjashtë herë radhazi të marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.

Kjo situatë në Kuvend, sipas profesorit të Integrimeve Evropiane, Dritëro Arifi, po tregon paaftësinë e skenës politike në Kosovë për të gjetur një marrëveshje dhe për të themeluar institucionet e reja.

Ai thotë për KosovaPress se çdo vonesë e mëtejshme e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë do të ketë pasoja politike dhe ekonomike. Ai përmend milionat e eurove në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, vonesat në largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si dhe largimin e mundësisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Me 9 maj bëhen tre muaj që janë mbajtur zgjedhjet. Ndërkaq, brenda tre muajve, kur ka ardhur në pushtet presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi thuajse totalisht politika dhe ekonomia globale, kurse ne nuk jemi në gjendje ta konstituojmë një parlament. Kjo tregon gjithçka për aftësitë tona politike dhe intelektuale. Çdo vonesë e mëtejshme e Kuvendit dhe qeverisë, e largon vendin nga agjenda e integrimeve evropiane. Pavarësisht se Kosova e ka dorëzuar agjendën për reforma evropiane në Komisionin Evropian, ne nuk e kemi kaluar marrëveshjen për kredi në Kuvendin e Kosovës. Ne vetëm në start jemi humbës, pasi Kosovës i është premtuar rreth 1 miliard euro, ku disa janë me kredi të buta dhe falas. Ndërkaq, ne nuk jemi në gjendje të ratifikojmë një marrëveshje për ta marrë këstin e parë. Plus, kemi ende masa ndëshkuese ndaj Kosovës,” thekson Arifi.

Pamundësia e themelimit të institucioneve të reja në Kosovë, si dhe polarizimi i tejskajshëm i partive politike, e dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, thotë analisti Arbnor Sadiku.

Sipas tij, çdo vonesë e mëtejshme në formimin e institucioneve të reja është në të keqen e vendit dhe i shkon në favor Serbisë dhe lobimit të tyre kundër shtetësisë së Kosovës.

“Natyrisht se do të humben shumë fonde, pasi ju e patë se nga fondet e ndara nga BE-ja [Plani i Rritjes], vetëm Kosova dhe Serbia ende nuk kanë përfituar për shkak të qeverisjeve të tyre të pakonsoliduara. Atje pse kishte anarki, kurse në Kosovë ka një lloj anarkie në parlament, por jo në rrugë. Të gjitha partitë po shtyhen për një numër apo dy numra. Çdo vonesë është në të keqen e Kosovës. Moskrijimi i institucioneve i shkon forcimit të imazhit të Serbisë dhe dëmtimit të shtetësisë së Kosovës. Ata veçse kanë filluar një fushatë kundër Kosovës, duke thënë se Kosova s’ka qeveri dhe institucione. Përmes kësaj e përdorin që Kosova nuk është një shtet i pjekur dhe se nuk mund të ndërtojë qeveri. Ani pse Kosova, në aspektin e funksionimit demokratik si sistem, funksionon shumë më mirë sesa Serbia,” thekson Sadiku.

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po siguron 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Kundër propozimit të tyre për këtë post po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

PDK dhe AAK po kërkojnë ndryshimin e kandidatit nga LVV-ja për të gjetur një zgjidhje, kurse LDK është kundër çdo kandidati nga LVV-ja.

Ndërkaq, Nisma, e cila i ka tre deputetë në Kuvend, i ka bërë thirrje LVV-së, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, që të arrijë një marrëveshje politike që siguron shumicën parlamentare për Kuvend dhe formimin e qeverisë së re.