Vlora Çitaku kritikon ashpër Alban Krasniqin: Për Listën Serbe, boll e kemi pa kush me kë ka bashkëpunu katër vjet

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Alban Krasniqit, zyrtar i KQZ-së dhe bashkëshort i ish-ministres së Drejtësisë, sot nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Përmes një postimi në rrjete sociale, Çitaku e ka akuzuar Krasniqin për gjuhë të papërgjegjshme dhe diskurs politik të mbushur me…

Lajme

02/09/2025 13:00

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Alban Krasniqit, zyrtar i KQZ-së dhe bashkëshort i ish-ministres së Drejtësisë, sot nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Çitaku e ka akuzuar Krasniqin për gjuhë të papërgjegjshme dhe diskurs politik të mbushur me urrejtje. Ajo e ka paralajmëruar se si zyrtar i një institucioni të pavarur si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Krasniqi duhet të ketë kujdes në qëndrimet publike, transmeton lajmi.net.

“Alban, të paktën si zyrtar i KQZ-së, kujdes qysh flet e kujt i drejtohesh. Urrejtja pa fakte s’është më diskurs politik, është thirrje për telashe,” ka shkruar ajo.

Në reagimin e saj, Çitaku ka mbrojtur rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidershipit të kohës së luftës, duke theksuar se “lirinë e Kosovës e ka sjellë UÇK-ja dhe pjekuria politike e liderëve të asaj kohe, bashkë me mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë”, duke shtuar se pozitat që mbajnë sot zyrtarët e VV-së janë rezultat i asaj lufte dhe aleancash.

Ajo ka akuzuar më tej Krasniqin për “presion e shantazh publik ndaj gjyqtarëve të Kosovës”, duke e cilësuar këtë si “poshtëruese dhe të barazueshme me thirrje për dhunë.” Në fund të postimit, Çitaku e mbyll me tone të forta politike: “Jeni vonë. Jeni gabim. Jeni dështim. Me diskurs. Me qëndrime. Me arritje.”

Postimi i plotë: 

Vargut t’zyrtarëve t’dëshpëruar t’VV-së iu paska bashku edhe Alban Krasniqi, bashkëshort i ish-ministres e sot nënkryetares së Kuvendit, por edhe si “gjyqtar” i vetëshpallun i gjithçkaje.
Alban, të paktën si zyrtar i KQZ-së, kujdes qysh flet e kujt i drejtohesh. Urrejtja pa fakte s’është më diskurs politik, është thirrje për telashe.
E dijmë të gjithë: lirinë e Kosovës e ka sjellë UÇK-ja dhe pjekuria politike e liderëve të asaj kohe, bashkë me mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, jo sharjet tuaja. Pozitat dhe pagat që merrni sot janë fryt i asaj aleance, jo i ndonjë “merite” tjetër.
Edhe ma keq, presioni e shantazhi publik ndaj gjyqtarëve të Kosovës, me emra e mbiemra, është poshtëruese dhe barazohet me thirrje për dhunë. Nuk i shkon askujt, e sidomos jo dikujt që e ka obligim të ruaj institucionet e vendit.
E për Listën Serbe, boll e kemi pa kush me kë ka bashkëpunu katër vjet, ditë e natë. CV-ja e juaj flet vetë, ma fort se fjalimet dhe leksionet e vonshme dramatike, me gjoja substancë patriotike.
Jeni vonë. Jeni gabim. Jeni dështim.
Me diskurs. Me qëndrime. Me arritje./lajmi.net/