​Vjosa Osmani dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dënuar ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, duke thënë se ky është akt i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm në shoqërinë tonë. Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm direkt ndaj vlerave tona të njeriut.…

Lajme

26/04/2025 16:53

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dënuar ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, duke thënë se ky është akt i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm në shoqërinë tonë.

Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm direkt ndaj vlerave tona të njeriut.

“Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti. Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje”, ka shkruar Osmani.

E para e shtetit ka theksuar se dhuna dhe urrejtja nuk kanë vend në sport dhe shoqërinë tonë, dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenohet dinjiteti dhe siguria e rinisë së Kosovës.

“Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan! Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!”, ka porositur Osmani.

15-vjeçari Belgin Jashari, futbollist i KF Fushë Kosova, dyshohet se është sulmuar fizikisht gjatë një ndeshje futbolli, nga një prind i një futbollisti tjetër.

Sulmin e ka dënuar edhe FFK-ja, e cila ka thënë se në bashkëpunim me klubin e futbollit Fushë Kosova do të zhvillojë disa aktivitete në mbështetje të Belgin Jasharit, ndërsa ai do të vizitohet edhe nga presidenti Agim Ademi.