Vizita e Grenellit në Kosovë e Serbi: Marrëveshja, ekonomia, taksa dhe fushata e çnjohjeve

Ambasadori i SHBA-ve në Gjermani, njëkohësisht i dërguari i Posaçëm i presidentit të SHBA-ve Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell këtë javë ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin.

Lajme

24/01/2020 23:25

Grenell këto vizita i ka realizuar pas marrëveshjes Kosovë – Serbi për linjën ajrore midis këtyre dy vendeve, duke lënë mesazhe të rëndësishme në të dy vendet.

Ai në Prishtinë kërkoi heqjen e taksës ndërsa në Beograd të ndalet fushata anti-Kosovë e çnjohjeve, shkruan lajmi.net.

Krejt këto nga njohësit e çështjeve politike janë parë si hapa drejt përgatitjes së terrenit për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Lajmi.net ka diskutuar për këtë çështje me njohësin e politikave të jashtme, Avni Mazreku i cili është shprehur se është vështirë e parashikueshme se çfarë fshihet prapa këtyre lëvizjeve.

Mazreku ka nënvizuar faktin e bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë si mundësi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare por ka hedhur dyshim mbi implementimin e marrëveshjes së aviacionit.

“E para, është vështirë e parashikueshme të dihet se çfarë vërtetë fshihet prapa lëvizjeve të fundit të administratës së presidentit Trump drejt arritjes së marrëveshjes përfundimare Kosovë – Serbi dhe një tendencë që nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik mund të arrihet një marrëveshje midis këtyre dy vendeve.  Marrëveshja që është arritur për aviacion për fluturim mes Prishtinës dhe Beogradit që implementohet nga një kompani gjermane është vështirë të konkludohet implementimi i kësaj marrëveshje për vet faktin se Serbia nuk i njeh dokumentet e udhëtimit të Kosovës”, tha Mazreku për lajmi.net.

Sipas tij, marrëveshja e aviacionit është vështirë e implementueshme për shkak se Serbia ka vendosur barriera ndaj Kosovës për lëvizje të lirë me mosnjohjen e dokumenteve të udhëtimit.

“E dyta, Serbia ka qenë ajo që e ka lënë të bllokuar një hapësirë ajrore mbi 10,000 metra të Kosovës ku Kosova nuk ushtron sovranitetin e saj. Sipas 1244 kontrollin e asaj hapësire e ka NATO përkatësisht misioni i KFOR-it, përderisa Serbia e konteston këtë hapësirë ajrore dhe aviacioni i Kosovës ka kontraktuar një palë të tretë. Ne nuk jemi kundër lëvizjes së lirë të njerëzve, por Serbia ka vendosur barriera duke mos i njohur dokumentet dhe kjo është tema pavarësisht marrëveshjes në Bruksel është problem të implementohet”, tha Mazreku për lajmi.net.

Mazreku më tutje është shprehur se tendencat e fundit duhet të shihen në hap me zhvillimet në SHBA, e që sipas tij politika e jashtme ka ndryshuar në kohën e Presidentit Trump për dallim nga presidentët e kaluar.

“Tendencat e fundit duhet të shihen në hap me zhvillimet në SHBA, aktualisht z.Trump është në proces të gjykimit dhe ende nuk dihet epilogu i gjykimit të Trump dhe shumica e njerëzve që merren me këto tema thonë se politika e jashtme është konsistente në raport me ndryshimin e presidentëve të SHBA-ve por te çështja e Trump kemi parë dallim sa i përket politikës së jashtme dhe nuk është konsistenca e administratave të tjera të SHBA-ve”, tha Mazreku për lajmi.net.

Në fund, Mazreku tha se mungesa e institucioneve legjitime të Kosovës e bën më të vështirë raportin e Kosovës me jashtë dhe me Serbinë.

“Përveç kësaj një rrethanë tjetër që pak iu është dhënë vëmendje është edhe çështja e asaj që Kosova nuk i ka institucionet e dalura nga zgjedhjet dhe në kuadër të kësaj, të përfaqësimit të Kosovës në marrëdhënie me jashtë dhe në marrëdhënie me Serbinë sepse institucionet e tanishme janë jo-legjitime dhe këto shihen me sy skeptik se mund të arrihet diçka konkrete në raport me marrëdhëniet Kosovë  – Serbi”, tha Mazreku në fund.

Grenell gjithashtu është shprehur se marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të ndodhë dhe se presidenti Trump nuk do të presë gjatë për këtë. /Lajmi.net/