Viti përgatitor për vitin 2019-të

9:02 | 27 Dhjetor 2018

Foto nga: Blerim Shala

2019-shi ka të ngjarë që do të jetë superior, për nga pesha dhe rëndësia politike, krahasuar me 2018-shin, prej të cilit do të dalim së shpejti.

Duket që çdo analizë që synon të jetë objektive për zhvillimet politike në Kosovë gjatë vitit 2018, i cili do të përfundojë këto ditë, do të mbërrijë tek i njejti konkludim: Ky ishte viti përgatitor për politikën kosovare (por edhe evropiane dhe ndërkombëtare), në vitin 2019.

Pra, së paku bazuar në parashikimet e tanishme, edhe pse akoma nuk kemi hyrë fare në vitin e ri, 2019-shi ka të ngjarë që do të jetë superior, për nga pesha dhe rëndësia politike, krahasuar me 2018-shin, prej të cilit do të dalim së shpejti.

Politika kosovare në përgjithësi, gjatë këtij viti ka prodhuar më shumë probleme sesa që i ka zgjidhur ato. Me këtë gjendjen aktuale në të cilën ajo gjindet, duket që kjo politikë është bërë problemi më i madh i këtij vendi. Natyrisht, sa herë që dikush bën një konstatim të këtillë, shfaqet menjëherë si një ‘shkop magjik’  (i pretenduar), ideja e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat nëse na kujtohet, janë të vetmet zgjedhje parlamentare që njeh Kosova që prej se dhjetë vjet më parë është bërë shtet i pavarur. Prej atëherë, ne kemi pasë tri zgjedhje të përgjithshme. Në të tri rastet  (2010, 2014, 2017), ato ishin zgjedhje të jashtëzakonshme. Me synim fare të qartë: Votimet duhej ta krijonin një stabilitet të munguar politik. Rezultati i mirëfilltë i tyre ishte e kundërta.

Këtë e dimë të gjithë.

E gjithë politika kosovare, jo vetëm një anë e saj, që njeh identitetin kalimtar qeverisës ose opozitar, është mbushur defekte të shumta, të cilat janë mbledhur dhe grumbulluar për vite të tëra. Vështirë që ‘terapia e zgjedhjeve të reja’, do të bëjë punë, së paku jo nëse nuk bëhet një reformë e mirëfilltë zgjedhore, e cila do të krijonte rrethana më të volitshme për ngritjen e cilësisë së Kuvendit të Kosovës. Por, nuk duket që partitë politike kosovare, pos në mënyrën e rëndomtë deklarative, janë të gatshme ta jetësojnë këtë reformë zgjedhore.

Në anën tjetër, qysh në muajt e parë të vitit të ri, do të kuptohet se a do të arrihet Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Në aspektin kohor, bëhet fjalë për fare pak muaj, për shkak të përfundimit të mandatit të Parlamentit dhe Komisionit Evropian, në vijim të organizimit të zgjedhjeve të reja.

Për herë të parë do të ketë realisht, një interesim të madh tek shtetet kryesore evropiane për rezultatin e tyre, sepse në të kaluarën, nuk ka pasë farë befasie të madhe  (sa i përket përbërjes së Parlamentit Evropian). Evropa në të katër anët ende po përballet me mësymjen e Popullizmit, i cili zatën shënoi një fitore të madhe me Brexit-in në Britaninë e Madhe.

Bashkimi Evropian gjindet në një udhëkryq të madh, pa busollë të qartë të orientimit politik se çka duhet bërë që BE-ja të mbijetojë dhe të fuqizohet, për më shumë. Ndërsa BE-ja nuk ka Opsion B, i cili do të mund të aplikohej në rast të shpërbërjes së vet.

Të gjitha opsionet e mundshme në këtë aspekt, janë shterrë në Evropë para krijimit të BE-së. Dhe dihet se cilat ishin pasojat e përpjekjeve të mëparme për të vendosë një Rend stabil ndërkombëtar në Evropë. Evropa i prodhoi dy luftëra botërore.

Sidoqoftë, të panjohurat e shumta që aktualisht përcjellin të gjitha analizat për zgjedhjet në Evropë dhe për Qeverinë e re  (Komisionin) Evropiane, janë njëri prej faktorëve që është shtytës tjetër që autoritetet më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, do të duhej të provonin ta bënin Marrëveshjen ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thuaja i gjithë viti tek ne në Kosovë, në këtë kontekst, është harxhuar në përpjekjen për ta krijuar një pajtim sa më të gjërë të mundshëm për synimet e kësaj faze finale të dialogut, dhe për strukturën organizative e cila do të ishte në krye të këtyre bisedimeve.

Megjithatë, me pak durim dhe arsye, për pesë-dhjetë minuta arrihet tek një konkludim i përbashkët i të gjithë politikanëve relevantë të këtij vendi, që bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, nga pikëshikimi i jonë (por edhe nga ai që merr parasysh stabilitetin afatgjatë të kësaj ane të Evropës), njohin si qëllimin e tyre kryesor njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Me kaq pak durim do të ishte poaq lehtë të mbërrihej edhe tek bashkimi i forcave politike për ta kryer këtë punë, e cila nuk mund të shtyhet më.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)