Gjini nga Klina: Shteti i fortë nuk bëhet duke varfëruar qytetarin, por duke fuqizuar iniciativën dhe sektorin privat

Kandidati për kryeministër të Kosovës dhe Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, sot gjatë tubimit të këtij subjekti në Klinë ka shpalosur planprogramin e tij qeverisës për zhvillimin e vendit, të ndërtuar mbi tri shtylla strategjike: siguri, energji dhe zhvillim. Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Gjini ka kritikuar modelin aktual të qeverisjes, duke potencuar se…

Lajme

31/05/2026 20:41

Kandidati për kryeministër të Kosovës dhe Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, sot gjatë tubimit të këtij subjekti në Klinë ka shpalosur planprogramin e tij qeverisës për zhvillimin e vendit, të ndërtuar mbi tri shtylla strategjike: siguri, energji dhe zhvillim.

Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Gjini ka kritikuar modelin aktual të qeverisjes, duke potencuar se përpjekjet për të ndërtuar një shtet të fortë përmes varfërimit të popullatës dhe mbytjes së iniciativës private kanë dështuar historikisht në mbarë botën. Sipas tij, shteti i fortë bëhet vetëm atëherë kur qytetarët dhe sipërmarrësit e tij janë të fuqishëm ekonomikisht.

“Po premtojnë shtet të fortë, duke i bërë njerëzit e dobët ekonomikisht, duke i varfëruar, duke ua mbytur iniciativën, duke mos i lënë me u rritë e me u zhvillu. Kërkund në botë nuk ka ndodhur me bë shtet të fortë kështu. E kanë provuar para këtij, e kanë provuar, e dimë ne, kanë dështuar, kanë rënë për toke. Nuk mundet me u bë shteti i fortë, kur njerëzit janë të varfër e kur nuk i le me e çu kryet, me pas iniciativë të veten e me u zhvillu vetë. Shteti i fortë bëhet kur jeni ju të gjithë të fortë, secili prej jush”, tha Gjini.

Në kuadër të planit për rritjen e mirëqenies, ai premtoi rrugën e saktë se si do të arrihen standardet e dëshiruara për pensionet dhe për pagat e punëtorëve të sektorit publik e industrisë.

Gjini deklaroi: “Jemi duke ju premtuar rrugën qysh mbërrijmë me pas pensione çfarë i duam. Pagat e mësuesve, policëve, i kemi në gjendje jashtëzakonisht të keqe, pagat e shërbyesve civilë, të minatorëve të Trepçës, duhet me i mbërri ato standarde, edhe mundemi me i mbërri ato standarde”.

Gjini shpalosi edhe planin e Aleancës për ngritjen e pragut të TVSH-së në 100 mijë euro për mijëra biznese të vogla dhe të mesme, masë kjo që sipas tij do të rrisë menjëherë mjetet financiare në bankat e ndërmarrësve pa u penalizuar nga shteti pa filluar mirë punën.

“Rruga që jemi duke e përmend për të gjithë këta njerëz, për mijëra biznese të vogla e të mesme, është nëse veç e ngrisim pragun e TVSH-së në 100 mijë euro, tri herë më shumë para në bankë përnjëherë keni me pas. Se nuk ju merr shteti hala pa e kriju”, potencoi ai.

Po ashtu, ai kritikoi barrierat burokratike dhe qasjen e gabuar ndaj mërgatës, duke premtuar lehtësim radikal të procedurave për çdo investitor nga diaspora.

Lidhur me këtë, Gjini shtoi: “E nëse Neziri, e cilido Nezir prej diasporës do me ardhë me investu, nuk bën me u lodhë me muaj me letra, me ja marrë taksat hala pa ja nis. E me ju dashtë me shku prej ministrisë në ministri për licencë, e me pa Nezirin jo si vëlla i joni që vjen prej diasporës, por si banknotë që ec. A duam ne me pas qasi shteti apo shtet çfarë jemi tu fol sonte?”.

Në mbyllje të tubimit në Klinë, kandidati për kryeministër ftoi qytetarët e Kosovës për unitet drejt zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar besim dhe bashkim për të ardhmen e vendit.

“Nëse qytetarët e Kosovës çohen në këmbë tash, besojnë në vetveten e njëri-tjetrin, nuk e urrejnë njëri-tjetrin por e duan, nëse rreshtohemi në një drejtim, bëjmë mrekullira”, përfundoi Gjini.