‘Vitamina’ kundër kontrabandës
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjërë kontrolli në Pejë dhe Gjakovë kundër kontrabandimit të medikamenteve. Gjatë këtij operacioni të quajtur “Vitamina” policia ka konfiskuar barna të ndryshme pa banderola, në vlerë rreth 40.000 euro.

Lajme
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganat e Kosovës kanë arritur të konfiskojnë medikamente të kontrabanduara pa banderola, në vlerë rreth 40.000 euro.
Operacioni i policisë së Kosovës, i koduar “Vitamina” është realizuar në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, ku janë realizuar kontrolla të rrepta në 7 barnatore të ndryshme.
“Si rezultat i punës operative hetimore, bazuar në informacionet për veprimtari të dyshimta të kontrabandës me medikamente, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare ‘Perëndimi’ në Gjakovë, në bashkëpunim me njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës, me 19.11.2013, kanë realizuar operacionin policor të koduar ‘Vitamina’ në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, me ç’rast kanë arrestuar dy persona me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘kontrabandim me mallra’ dhe ‘shmangie nga obligimet doganore’.
“Gjatë realizimit të këtij operacioni policor janë bastisur shtatë barnatore dhe disa depo në lokacione të ndryshme dhe në cilësi të provave materiale janë konfiskuar barna të ndryshme pa banderola, në vlerë rreth 40.000 euro dhe një automjet udhëtarësh me të cilin bëhej transporti i barnave nga Peja nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, si dhe 1225 euro para të gatshme.
“Medikamentet e konfiskuara kryesisht e kanë prejardhjen nga Serbia”.
“Të gjitha veprimet policore janë kryer në autorizim të prokurorit përkatës dhe me autorizim të tij personat e dyshuar janë liruar dhe lënda shkon në procedurë të rregullt’.