Vetura me një mijë kuaj-fuqi, do ketë tetë ulëse

16:28 | 18 Shtator 2019

Makinë e fuqishme SUV për të gjitha terrenet, që lëvizë me shpejtësi të lartë

Kur kemi të bëjmë me makina sportive, shohim luks pa fund, teknologji të lartë dhe mundësi të vozitjes me shpejtësi mbi 300 kilometra në orë, ndërsa makinat SUV po avancohen gjithnjë e më shumë, transmeton Telegrafi.

Në shikim të parë, Rasmobile RM-X2 që u prezantua në Frankfurt Motor Show, ngjanë sikur një makinë që e ka bazën në Hummer, por është më shumë se një makinë SUV.

Deri në tetë persona mund të akomodohen në këtë makinë, të cilët mund të hynë nga dyert gjigante që hapen nga lartë dhe ofrojnë hyrjen edhe për ulëset e pasme.

Struktura është e ndërtuar nga materiali i lehtë me fibra karboni, duke bërë që kjo makinë gjigante dhe me dukje agresive, të mos peshojë më shumë se 1,500 kilogramë.

Me shtresën e teflonit nën pjesën e poshtme që të mbrohet nga lagështia dhe mundësi që të ngritet deri në 30 centimetra mbi tokë, Rasmobile RM-X2 mund të lëvizë nëpër të gjitha terrenet. Të integruar e ka edhe sistemin e ‘larvës’, që i mundëson të del nga balta apo rëra, duke bërë lëvizje të lehta para dhe prapa.

Motori me 6.2 litra që prodhon 1,000 kuaj fuqi, i mundëson kësaj makine që shpejtësinë nga zero deri në 100 kilometra në orë ta arrijë për 3.3 sekonda.

Deri në vitin e ardhshëm, planifikohen të prodhohen deri në 12 njësi të Ramsmobile RM-X2, që pritet të kenë çmim shumë të lartë.