Veton Surroi shpallet ‘Autor i Vitit’ në Panairin e Librit Prishtina 2016

Vendimin për këtë titull e ka marrë juria në përbërje të Ilire Zajmit, Adem Gashit e Anila Xhakaliut.

ShowBiz

10/06/2016 09:17

Për romanin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, Veton Surroi është shpërblyer me çmimin “Autori i Vitit 2016”, në Panairin e Librit në Prishtinë, që po mbahet tash e sa ditë.

Kurse në edicionin e 18-të Panairit të Librit “Prishtina 2016”, janë ndarë edhe çmimet e tjera, ku çmimi për autoren më të mirë të huaj ka shkuar për autoren Xheni Dorny, çmimi për veprën kapitale per Noel Malkolm. Ndërkaq, çmimi për librin më të mirë me poezi ka shkuar për Viola Isufaj për librin “Adamah”, çmimi për romanin më të mirë ka shkuar për Mehmet Kraja për romanin “E zezja dhe e kuqja”, çmimi për librin më të mirë në zhanrin e kritikës, publicistikës ka shkuar për Nehat Islamin “Një adresë në Bukuresht”, përkthyesi më i mirë ka dalë të jetë Elbi Siboa, kurse autori më i mirë për fëmijë është vlerësuar të jetë Avdi Shala. Në këtë vit është ndarë edhe çmimi për stendën më të vizituar për Shtëpinë Botuese “Dituria”, nga Tirana, kurse çmimi “Miku i Panairit”, ka shkuar për Musa Ramdanin.

Në edicionin e 18- të të Panairit të Librit Prishtina 2016 po marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, të cilët pos po prezantojnë botimet e më hershme, shumica prej tyre janë prezantuar edhe me tituj të rinj. /kultplus