“Lenani në dhimbjen tonë” Familja distancohet nga Endrit Azemi, qytetari i Gjilanit thotë se rasti dëmton besimin për të ndihmuar të sëmurët
Një rast tejet i rëndë ka ndodhur sëfundmi në Gjilan, ku një qytetar tashmë i njohur për publikun, Endrit Azemi ka mashtruar qytetarët duke pretenduar se është i sëmurë me Leukemi Akute, dhe duke përfituar nga qytetarët rreth 200 mijë euro. Në lidhje me rastin, Endrit Azemi tashmë është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, shkruan…
Lajme
Një rast tejet i rëndë ka ndodhur sëfundmi në Gjilan, ku një qytetar tashmë i njohur për publikun, Endrit Azemi ka mashtruar qytetarët duke pretenduar se është i sëmurë me Leukemi Akute, dhe duke përfituar nga qytetarët rreth 200 mijë euro.
Në lidhje me rastin, Endrit Azemi tashmë është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, shkruan lajmi.net.
Për këtë rast, për lajmi.net ka folur shkurt vëllai i tij Gëzim Azemi.
Ai ka thënë se familja e tyre tashmë janë distancuar nga rasti.
“Krejt çka kemi pas me thënë e kemi thënë, lenani në dhimbjen tonë. Distancimin tonë e kemi thënë”, ka thënë ai.
Për këtë rast, një qytetar i Gjilanit për lajmi.net ka thënë se kjo vepër tejet e keqe e Endrit Azemit e dëmton tejet shumë atë që ka vërtetë nevojë duke e humbur besimin e qytetarëve.
“Këto nuk janë të mira fare, sepse ai nevojtari pëson. Mos të jetë puna e nevojtarit, ajo punë rregullohet por nevojtari çka bënë. Ky fenomen është katastrofal, ka hala më të këqija por nuk është në rregull. rinija duhet të vetëdijësohet, shteti duhet të ofroj ndihmë jo të kërkohet nëpër tezga”, ka thënë ai.
Si ka ndodhur rasti?
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji paraburgim të pandehurit Endrit Azemi, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale mashtrimi.
Sipas kërkesës së prokurorisë nga data 09.11.2026 e deri me datë 21.11.2026, i pandehuri E. A., me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjell në lajthim personat tjerë, në atë mënyrë që ka sajuar situatën se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do ti nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen.
E më pas përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e njëzet e dy) euro, në rrjetin “GoFound”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit janë grumbulluar shuma prej 26.684.8 (njëzet e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër euro e tetë cent), me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent) duke krijuar dobi pasurore për vete.
Më këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”,thuhet në njoftim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në të cilën thuhet se Endrit Azemi dyshohet se nga 11 nëntori 2026 deri më 21 nëntor 2026, me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligishëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjellë në lajthim personat tjerë.
Prokuroria thotë se i dyshuari ka sajuar situatën kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen, e më pas përmes hapjes së “GoFund” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 165 mijë e 522 euro.
Aty thuhet se në “GoFund”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit, janë grumbulluar shuma prej 26 mijë e 684 euro e 8 centë, me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189 mijë e 206 euro e 8 centë, duke krijuar dobi pasurore për vete.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Prokuroria thekson se më 22 nëntor 2026 ka pranuar kallëzim penal të parashtruar nga Policia. Pas analizimit të të gjitha provave që i janë bashkëngjitur kallëzimit penal, Prokuroria ka ardhur në përfundim se veprimet inkriminuese të të pandehurit përbëjnë elementet esenciale të veprës penale të “Mashtrimit”.
Prokuroria ka vlerësuar se ekziston rreziku për ikjen e të pandehurit, për pengim në rrjedhën e procedurës penale duke ndryshuar apo asgjësuar provat, apo duke ndikuar në ndonjë dëshmitar eventual, pastaj është vlerësuar pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer.
Sipas Prokurorisë, të gjitha këto mund të tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Andaj, gjyqtarit të procedurës paraprake iu propozua që kërkesa të aprovohet si e bazuar dhe të caktohet masa e paraburgimit.
Prokuroria thekson se i pandehuri ka qenë në kërkim, por për shkak të gjendjes financiare pasi i janë bllokuar mjetet financiare, është kthyet në Kosovë, andaj me lënien e tij në liri, mund të arratiset nga Kosova.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, vepra penale është kryer me dashje, me qëllim përfitimin personal dhe se veprimet e tij ndikojnë negativisht që qytetarët të humbin besimin për të ndihmuar në rastet që kanë nevojë për trajtime mjekësore, duke ndikuar të mos kontribuojnë financiarisht. /Lajmi.net/
Video: