Vetëvendosje s’i ka votat për Albulena Haxhiun- nuk e hedh fare në votim- ndërpritet seanca, vazhdon të mërkurën

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës të cilët të shtunën u betuan për legjislaturën e nëntë me radhë janë mbledhur sot sërish. Në seancën e sotme konstituive kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka njoftuar se në sallë janë të pranishëm 117 deputetë. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në seancën e sotme…

Lajme

21/04/2025 15:48

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës të cilët të shtunën u betuan për legjislaturën e nëntë me radhë janë mbledhur sot sërish.

Në seancën e sotme konstituive kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka njoftuar se në sallë janë të pranishëm 117 deputetë.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në seancën e sotme konstituive ka njoftuar se Albulena Haxhiu është sërish e propozuar për Kryetare të Kuvendit, por s’do të hidhet në votim pasi që nga partitë opozitare kanë deklaruar hapur se s’do e votojnë, raporton lajmi.net.

“Mendoj se kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç me një marrëveshje politike, ashtu siç votohen nënkryetarët ashtu do të duhej të votohej edhe kryetari i Kuvendit”, deklaroi Konjufca i cili tha se nga partitë opozitare tashmë kanë deklaruar se janë kundër emrit të Haxhiut.

“Kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që patëm tri herë radhazi në Kuvendni e Kosovës”.

Pas kësaj kryesuesi Dehari njoftoi se ndërpritet seanca për t’u takuar sërish të mërkurën në ora 10:00.

Në seancën e mbajtur të shtunën është arritur që të votohet komisioni për mandate dhe kuorum ku më pas  deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit janë betuar.

Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje hodhi në votim emrin e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, por e njëjta nuk është arritur që të zgjedhet.

Haxhiu mori veç 57 vota për, ku PDK, LDK dhe AAK nuk votuan fare ndërsa Nisma social demokrate abstenuan./Lajmi.net/