Vetëvendosje reagon (paragjykon) rastin e dyzet të dyshuarve për terrorizëm

Lëvizja Vetëvendosje, më në fund ka reaguar lidhur me dyzet të arrestuarit e dyshuar për terrorizëm, duke e konsideruar të dëmshme euforinë dhe ekzaltimin që po ndërtohet në formë fushate, posaçërisht nga, siç i ka quajt kjo lëvizje, disa medie të regjimit. 

Lajme

14/08/2014 16:34

Arrestimi i dyzet (40) personave të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra, kishte ngjallur reagimin e të gjitha subjekteve kryesore politike dhe ambasadorëve perëndimorë, por ishte kaluar në heshtje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo lëvizje ka reaguar të enjten, ditën kur Gjykata Themelore ua shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji të gjithë të arrestuarve të dyshuar se kanë nxitur urrejtje kombëtare, racore dhe fetare dhe kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrahë organizatave terroriste,  ISIS dhe Al-Nusra.

“Nëse del që policia i ka arrestuar këta 40 njerëz shumë më parë për bindjet dhe pamjet e tyre sesa për krimet e kryera, atëherë këto arrestime kollaj do të mund të bëhen kundërproduktive në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në reagimin (paragjykimin) e Vetëvendosjes, që disa media ishin “habitur” me mosreagimin e saj.

Më poshtë lexojeni reagimin e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje:

Kosova ka nevojë për bashkim kombëtar e jo për përçarje fetare

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron të dëmshme euforinë dhe ekzaltimin që po ndërtohet në formë fushate, posaçërisht nga disa medie të regjimit, me rastin e arrestimit të 40 qytetarëve të Kosovës të dyshuar për terrorizëm e krime në luftë në Siri. Prokuroria e gjyqësori, policia e AKI-ja, porsi Qeveria e Kosovës, janë të shquar për skandale e papërgjegjësi, për korrupsion e partizim prandaj nuk duhet të ngutemi me duartrokitje për një proces të cilit nuk i dihet mirë as fillimi se lëre më fundi. Aq më tepër që të njëjtit nuk i luftojnë as strukturat shtetërore të Serbisë dhe as krimin e kontrabandën në Kosovë me të cilat ndodhen në marrëveshje diku publike e të zhurmshme e diku xhentëlmene e të heshtur. Nëse del që policia i ka arrestuar këta 40 njerëz shumë më parë për bindjet dhe pamjet e tyre sesa për krimet e kryera, atëherë këto arrestime kollaj do të mund të bëhen kundërproduktive në të ardhmen.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron që Bashar al-Assadi, kryetari i Sirisë, është diktator që duhet rrëzuar nga pushteti, mirëpo jo pse është shiit, por për shkak se është diktator në krye të një regjimi vrastar. Lufta në Siri nuk është vetëm thjesht luftë politike e as kryengritje popullore kundër Assadit. Grupe e organizata nga më të ndryshmet marrin pjesë atje duke luftuar edhe njëra-tjetrën me motive e qëllime të panjohura tërësisht dhe me rezultate e pasoja të paparashikueshme plotësisht. Prandaj, qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi nuk duhet të shkojnë në atë luftë. Ne e njohim të drejtën universale të secilit për t’u solidarizuar me rezistencën dhe kryengritjet e popujve të shtypur e të shfrytëzuar nëpër botë por jemi të bindur që lufta në Siri nuk ka nevojë dhe madje pamundëson një solidaritet të tillë. Lufta në Siri nuk mund të jetë as lufta jonë e as luftë për ne.

Nëpërmjet këtyre arrestimeve, kryeministri në ikje dhe ministri i brendshëm në ikje po duan të duken më të mirë sesa 40 të arrestuarit. Mirëpo, nuk është kështu. Varfëria e papunësia që po rriten, arsimi e edukimi që po bien, predikimet fetare ekstreme që po shtohen dhe mediet që i promovojnë ato, e kanë bërë Kosovën tokë pjellore për ekstremizmin. Pikërisht ky kryeministër dhe qeveria e tij në ikje paraqesin përgjegjësit kryesor politik për këtë gjendje të rëndë. Ata janë shkaktarët e problemit dhe jo zgjidhja e tij. Kryeministri dhe qeveria e këtillë veprojnë vetëm atëherë kur janë duke e humbur pushtetin sepse vetëm te pushteti e kanë edhe mendjen edhe qenien. Për shkak të këtij pushteti që e ka kapur shtetin, kemi shërbim informativ partiak në vend të atij kombëtar e shtetëror dhe kemi banda e klane në vend të ushtrisë së Kosovës.

Përveç logjikës së privatizimit që e copëtoi shoqërinë dhe e dëmtoi natyrën, përveç korrupsionit enorm qeveritar që e vodhi buxhetin dhe pamundësoi mirëqenien, edhe braktisja e bashkimit kombëtar shqiptar nga elita politike dhe institucionet e Kosovës ka krijuar terren për partikularizmat e skajshëm fetar. Kosova duhet të jetë shtet sekular ku shteti është i ndarë nga feja dhe ku liria e besimit dhe praktikimi i feve janë të garantuara. Mirëpo, Kosovën gjithnjë duhet parë si një pjesë të kombit shqiptar që vazhdon të jetë i ndarë padrejtësisht. Binarët e duhur të shqiptarëve përbëhen prej dy shinave historike: asaj ushtarako-kombëtare (prej Skënderbeut te Adem Jashari) dhe asaj politiko-filozofike (prej Sami Frashërit te Ukshin Hoti). Njëkohësisht, shinat e binarëve të shtetit të Kosovës duhet të jenë Republika me Social-demokraci dhe Shteti Zhvillimor në ekonomi.