Vetëvendosje pretendon se i ka numrat për formimin e Qeverisë
Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar të bindur se ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë. Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se sa më shumë numra të kenë do të ishte më mirë. “Me…

Lajme
Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar të bindur se ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë.
Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se sa më shumë numra të kenë do të ishte më mirë.
“Me votat e deputetëve të Kuvendit… Për të gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit… Patjetër që po [i kemi numrat e qeverisë]. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hekuran Murati.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.
Por, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se formimi i Qeverisë do të bëhet pa partitë opozitare.
Pas regjistrimit si deputet ai u shpreh i bindur se do të arrijnë të formojnë Qeverinë me 63 vota.
“Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në edhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca… Ashtu me vota, 63 vota”, deklaroi ai.
Ndërsa ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është përgjigjur sa i përket ftesës për partitë opozitare.
“Para dy dite kam dhënë të gjitha deklarimet rreh këtyre çështjeve, nuk kam diçka për të shtuar”, deklaroi Haxhiu.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.