Vetëvendosje i quan sadiste sjelljet e Policisë

Vetëvendosje dënon dhunën e përdorur nga Policia e Kosovës gjatë protestës pranë Rektoratit UP’së. Ata kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Rektorit, Ibrahim Gashi. Sipas VV, Universiteti është uzurpuar dhe tjetërsuar.

Lajme

07/02/2014 15:18

Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar përdorimin e dhunës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj studentëve protestues.

Me anë të një komunikate, VV veprimet e policëve ndaj studentëve në protestën pranë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, i ka quajtur si sadiste.

“Përdorimi i shfrenuar dhe sadist i dhunës nga Policia e Kosovës kundër studentëve protestues, dhe në mbrojtje të falsifikatorëve e uzurpatorëve të Universitetit të Prishtinës, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm”.

“Lëvizja Vetëvendosje e dënon këtë dhunë, që qëllim kryesor e ka heshtjen dhe lëndimin e studentëve protestues që kanë ngritur zërin dhe janë organizuar në mbrojtje të Universitetit, hapësirës publike dhe rregullave akademike, e kundër falsifikatorëve e mashtruesve që e kanë uzurpuar dhe korruptuar Universitetin dhe procesin mësimor brenda tij”.

“Gjatë ditës së sotme të protestës policia ka arrestuar një numër të madh të protestuesve, madje ende pa filluar protesta. Këtë ditë policia, e urdhëruar nga pushteti, përdori metoda të kulluara totalitare duke i kryer arrestimet e protestuesve përmes policëve civil, të cilët pa kurrfarë paralajmërimi e as provokimi i arrestonin qytetarët e Kosovës në rrugë”.

“Këto janë kidnapime e jo arrestime sipas procedurave policore. Po ashtu gjatë zhvillimit të protestës policia ka përdorur edhe gazin lotsjellës duke e hedhur atë drejtpërdrejt në trupat e njerëzve dhe godinat përreth, me ç‘rast e kanë paralizuar lëvizjen e të gjithë qytetarëve dhe banorëve përreth ndërtesës së Rektoratit”.

“Studentët kanë të drejtë. Universiteti është i tyre, ndërkohë që është uzurpuar nga mashtrues e matrapazë të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, të cilët po ia shkatërrojnë Kosovës Universitetin dhe po ia ndalojnë studentit hyrjen në të”.

“Tash e dy ditë pushteti përmes deputetëve të tij e ka paralizuar edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës duke e vendosur veten si mburojë e gjallë rreth shkeljeve, mashtrimeve, falsifikimeve e korrupsionit në Universitet të trupëzuara në menaxhmentin aktual të udhëhequr nga Ibrahim Gashi, dhe në Këshillin Drejtues të UP Hasan Prishtina”.

“Universiteti është uzurpuar – është tjetërsuar nga dija, nga shkenca, dhe tash përmes policisë edhe nga studenti”.

“Lëvizja Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Rektorit dhe të anëtarëve të Këshillit Drejtues. Në po ashtu kërkojmë tërheqjen e menjëhershme  të policisë nga hapësira publike e Universitetit”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.