Vetëvendosje akuzon pushtetarë e rinj të Lipjanit për shumë keqpërdorime

Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka akuzuar kryetarin aktual, të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, se e ka shndërruar qeverisjen e tij në dinasti personale e familjare. VV vlerësoi se kësaj valle i janë bashkangjitur edhe të tjerët, nga nënkryetari Fitim Selimi, e deri tek shoferi personal i tij, transmeton KP komunikatën e VV-së. 

Lajme

28/04/2014 17:41

Sipas Vetëvendosjes, Ahmeti e Selimi qeverisjen dhe resurset lokale i kanë vënë në funksion të militantëve partiakë dhe shtrirjes së partive të tyre në terren.

“Jemi dëshmitarë ku zotimet për transparencë kanë rezultuar me kufizim të transparencës deri në dëbim të organizatave të shoqërisë civile nga monitorimi i funksionimit të qeverisjes lokale, ndërsa premtimet për departizimin e punësimit kanë përfunduar në punësimin e familjarëve dhe të militantëve partiakë në institucione lokale. Ndërkohë që abuzimi me resurset dhe pasurinë publike vazhdon të sofistikohet dhe të thellohet edhe më tej”, thuhet në një komunikatë të VV.

Sipas tyre, puna e Kuvendit Komunal në Lipjan, karakterizohet nga vendimet e paligjshme, mungesa e transparencës, nepotizmi dhe militantizmi partiak, shpërdorimi i  parasë publike, si dhe mungesa të theksuara të profesionalizmit.

Ata thonë se të gjitha këto kanë rezultuar me një numër veprimesh dhe shkeljesh si emërimi i nënkryetarit të dytë, në kundërshtim me ligjin, për të cilin është shprehur kundër edhe Ministria e Pushtetit Lokal, e cila ka kërkuar veprime për të anuluar këtë vendim, por që ende nuk është ndërmarrë asgjë.

“Ky veprim i shtyrë nga kryetari Ahmeti, përveçse e ka dëmtuar imazhin e Komunës, dëshmon edhe për mungesën. Pastaj, përbërja e ekipit qeverisës, përveçse karakterizohet me mangësi profesionale, në të cilën ka drejtor pa kurrfarë përvoje profesionale, njëkohësisht tregon për pazaret politike në emërimin e drejtorëve, si dhe emërimi i nipi të kryetarit si drejtor në ndërmarrjen komunale ‘Pastërtia’, kjo ndërmarrje menaxhon edhe dy tregjet komunale, tregje këto të cilat deri më tani janë menaxhuar nga familjarët e Shukri Bujës, ndërsa tash e tutje do të menaxhohen nga Dinastia Ahmeti”, thuhet në komunikatë.

VV ndalet edhe te emërimet e drejtorëve të shkollave dhe stafit arsimor, siç është përzgjedhja e zyrtarit të LDK-së dhe mikut të vëllait të kryetarit si drejtor në shkollën e mesme “Ulpiana”, drejtori i SHMU “IsmajlLuma” në Lipjan, kurse në SHMU “EminDuraku” në Banullë është emëruar drejtor militanti nga Nisma për Kosovën, i cili, sipas tyre, paraqet konflikt interesi, ngase ai dhe vëllezërit e tij kanë lidhje biznesore me vëllezërit e kryetarit të Nismës dhe nënkryetarit të Komunës, Fitim Selimi.

VV ka ngritur shqetësimin edhe për kontratat e qeverisjes së kaluar, duke thënë se asnjë dosje apo kontratë e paligjshme e qeverisjes së kaluar nuk është denoncuar në organet e prokurorisë, me gjithë abuzimet e mëdha që kanë ndodhur në mandatin e kaluar.

“Stacioni i autobusëve, për të cilin kishte premtuar se do ta rifunksionalizonte  brenda 100 ditëve, jo vetëm që nuk është funksionalizuar, por vazhdon të shërbejë si vend i hedhjes së mbeturinave”.