Veseli: PDK po reformohet për ta zhvilluar Kosovën në Dekadën e Re

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot strukturat e reja të Degës së PDK-së në Komunën e Shtimes, para të cilave e ka paraqitur vizionin e tij për të ardhmen në Dekadën e Re.

Lajme

22/05/2019 20:02

Veseli falënderoi mbi 50 mijë qytetarë të profileve të ndryshme cilët morën pjesë në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Zgjedhjet në PDK ishin një shembull për demokracinë, një shembull për angazhimin e mijëra kuadrove të reja të cilët e duan Kosovën dhe e duan zhvillimin e saj nëpërmjet kontributit në PDK. Ishin zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat në dhjetëra nëndegë kishin pjesëmarrje të mbi 300 delegatëve. Nga 39 degë sa ka Partia Demokratike e Kosovës, deri tani kemi zgjedhur strukturat e reja në 37 degë. Sot jemi këtu në Shtime, ku PDK ka fituar tash e 20 vite dhe edhe si parti fituese, të gjitha strukturat me unanimitet të plotë kanë zgjedhur një kryetar të ri të Degës, për çka jemi shumë të kënaqur. PDK nuk është thjeshtë vetëm një parti. Është fuqi e shtetit të Kosovës, është perspektiva e këtij shteti, është e ardhmja e Kosovës. PDK ka vizion shumë të qartë në atë çfarë do sepse e din se çfarë duan qytetarët e Kosovës”, ka thënë Veseli, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Veseli tha se PDK tani pas zgjedhjeve partiake fillon jetësimin e platformës së saj Dekada e Re e cila ka vizion të qartë për zhvillimin e vendit, për rininë novatore të Kosovës.

“Këtë do ta bëjmë përmes një koncepti i cili është i pastër, kombëtar. I cili është novator, intelektual, i ndërmarrësisë, përmes politikave zhvillimore ekonomike ku duhet të forcohet shteti ligjor, me masa të cilat do të jenë të veçanta në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Por në të njëjtën kohë me masa të cilat janë shumë novatore, të transformimit, të modernizimit të shoqërisë sonë, duke u dhënë mundësi gjithë atyre njerëzve që kanë ide dhe mundësi për ta quar këtë vend përpara”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka folur edhe për ideologjinë politikë të PDK-së, e cila siç tha Veseli është tërësisht perëndimore.

“Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk është koncept majtist. Politikat sociale nuk do ta zhvillojnë vendin tonë, por do ta varfërojnë çdo qytetarë të Republikës së Kosovës. Koncepti majtist manipulon njerëzit që kanë problem dhe varfëri dhe mendojnë se duke ua marrë të pasurve do të pasurohen. Jo, jo. Ka një koncept i cili është perëndimor i cili është zhvillimor dhe i cili thotë, ai i cili është i pasur të bëhet edhe më i pasur dhe ai që është i varfër të bëhet i pasur sepse në këtë mënyrë mund të ecë edhe ekonomia jonë edhe shoqëria jonë. Ky është vizioni ynë zhvillimor që do ta transformojë vendin tonë. Po ti bëjmë të gjitha partitë tjera bashkë në njërën anë, nuk kanë bërë më shumë sesa PDK që ka bërë për të djeshmen dhe për transformimin e zhvillimin e Kosovës”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së Kadri Veseli ka folur para strukturave të reja të PDK-së në Shtime edhe për iniciativën e tij për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, duke theksuar se dëshiron që të sillet drejtësi për të gjitha viktimat dhe Kosova të filloj pastaj ndërtimin e të ardhmes nëpërmjet platformës Dekada e Re.

“Unë nuk vij prej vajtimit. Unë kam qenë luftëtar i UÇK-së dhe kur kanë qenë momentet më të rënda ia kam kthyer pushkën Serbisë. Edhe sot, orientimi im është shumë i qartë: Serbia ka kryer gjenocid dhe krime dhe ne nuk do të heshtim. Do të shkojmë deri në fund që të përgjigjet Serbia në rend të parë si shtet i gjenocidit, por edhe gjithë kriminelët serb që i kanë kryer ato krime. Këtë e bëjmë për gjeneratat e reja të ardhshme sepse çdo krim që nuk ndëshkohet, ai ka rrezik të përsëritet”, tha Veseli. /Lajmi.net/