Veseli dhe Jacobson flasin për realizimin e agjendës legjislative
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli është takuar të mërkurën me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Ann Jacobson.
Lajme
Veseli dhe Jacobson biseduan rreth agjendës legjislative për vitin 2015, nevojën e miratimit të ligjeve që përafrojnë Republikën e Kosovës me euro-integrimet, sigurinë, bashkëpunimin rajonal dhe nevojën e shtimit të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Sipas komunikatës së zyrës për informim të Kuvendit, gjatë kësaj bisede Veseli vuri në pah kontributin e SHBA-ve në proceset e ndjeshme dhe historike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë gjatë shekullit të kaluar dhe po kalon aktualisht, duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë angazhim.
Ambasadorja Jacobson përgëzoi Veselin për përkushtimin e tij në krye të Kuvendit që të realizojë agjendën legjislative, realizimin e prioriteteve kuvendore dhe rrugën e eurointegrimeve.
“Agjenda legjislative do të përshpejtohet, si nevojë për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike. Në këtë drejtim, ndihma dhe përkrahja e miqve është e një rëndësie të veçantë dhe ne si Kuvend e mirëpresim atë”, citohet t’i ketë thënë Veseli ambasadores Jacobson.