Vërshime, ngrica e mungesë të ujit – Komuna e Drenasit merr vendim të pezullohet mësimi deri më 14 janar
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se janë duke punuar për ta normalizuar gjendjen në Komunën e tyre. Ai ka thënë se ditën e ka filluar në rrugë me borë, të vërshuara nga uji dhe ankesa për mungesë të ujit të pijes, shkruan lajmi.net. “Gjatë gjithë ditës,…
Lajme
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se janë duke punuar për ta normalizuar gjendjen në Komunën e tyre.
Ai ka thënë se ditën e ka filluar në rrugë me borë, të vërshuara nga uji dhe ankesa për mungesë të ujit të pijes, shkruan lajmi.net.
“Gjatë gjithë ditës, me ekipet emergjente, me kompanitë e kontraktuara për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, me Policinë e Kosovës, Njësinë e zjarrfikësve, qytetarët dhe kompanitë private, u përpoqëm të bëjmë më të mirën për tejkalimin e situatës. Në lagjet dhe familjet më të rrezikuara, bëra vizita, duke shprehur solidaritetin njerëzor, ku theksova se ato nuk janë vetëm dhe po punojmë me të gjitha mundësitë për ta përmirësuar gjendjen”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka thënë se uji mungon në disa pjesë të Komunës dhe këtë shqetësim e ka ngritur me urgjencë.
“Me gjithë angazhimin e Ujësjellësit dhe vështirësive, të gjithë po e bëjnë të pamundurën për ta rikthyer normalitetin në tërë komunën edhe furnizimin me ujë”, ka shtuar ai.
Lladrovci ka kërkuar nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në trafik e të mos lëvizin pa nevojë, të jenë të përgatitur me pajisjet dimërore dhe të respektojnë ndalesat për rrugët e vërshuara apo ende të papastruara nga akulli.
Ai ka thënë se kompanitë e kontraktuara për pastrimin e borës dhe rrugëve, gjatë tërë ditës kanë qenë në krye të detyrës, duke qenë në shërbim të qytetarëve dhe në përpjekje për të normalizuar gjendjen.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit, kam marrë vendim të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor e shkollor në komunën e Drenasit, deri të mërkurën, më 14.1.2026. Të gjitha familjet dhe kompanitë në komunën e Drenasit të dëmtuara nga vërshimet, duhet të kërkojnë vlerësimin e dëmeve nga Komisioni komunal, por, procedurat rreth kompensimit duan kohë për kompensim nga niveli qendror. Falënderoj qytetarët për mirëkuptim e bashkëpunim si dhe kompanitë private dhe qytetarët të cilët ndihmuan dhe po ndihmojnë në tejkalimin e situatës të shkaktuar nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit”, ka shtuar Lladrovci. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i tij: