Veprimet e EULEX’it banale

Glauk Konjufca ka reaguar ndaj veprimit të fundit të EULEX`it, i cili intervistoi si të dyshuar për krime lufte Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Sipas tij, qëllimi i vetëm i EULEX`it është që ta njollos luftën e UÇK`së.

Lajme

21/12/2013 12:20

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, vlerëson se  intervistimi i Jakup Krasniqit nga EULEX’i si i dyshuar për krime lufte është veprim i padrejtë dhe që ka për synim degradimin e luftës së UÇK`së.

Në një intervistë për televizionin Rrokum TV, Konjufca ka thënë se lufta çlirimtare është e pastër dhe, sipas tij, gjykimet që janë duke u bërë në përgjithësi ndaj ish-ushtarëve të UÇK`së janë banale dhe qesharake.

“Këto e dëmtojnë shumë shtetin e Kosovës. Çdo ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili përfundon në proceset gjyqësore për krimet e pretenduara  të luftës e dëmton shtetin e Kosovës në përgjithësi”.

“EULEX`i e ka vetëm një mision vetëm se si ta degradoj luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Kemi sot rastin e Kryeparlamentarit i cili thirret sipas një dëshmie tejet të dyshimtë. Nuk shpjegohet së kush janë dëshmitarët, në anën tjetër sa kemi qenë të informuar nga mediat vetë dëshmitarët i kanë ndërruar dëshmitë disa herë. Pra, kemi pasur një pavendosmëri në dëshmitë e tyre”.

“Vetëm për një fjalë goje se dëshmitarët kanë thënë që ka qenë njëfarë Jakup Krasniqi që paska  ushtruar ato akte për të cilat ai dyshohet menjëherë dyshimi lidhet me parlamentarin i cili quhet Jakup Krasniqi”.

“ Edhe po të përfundojnë të gjitha këto hetime me pastrimin e emrit të z. Krasniqi, dëmi tashmë është bërë  dhe është i pakthyeshëm për arsye se kemi të bëjmë me kredibilitetin e njerëzve”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, jam i bindur që ka qenë luftë çlirimtare dhe e pastër”.

“E dyta popujt tjerë të cilët i kanë zhvilluar luftërat e tyre të gjithë kanë trajtuar rastet e tyre sipas gjykatave vendore dhe nuk i ka drejtuar një mision i jashtëm siç është EULEX`i. Ky është defekti tjetër mendoj unë”.

“E treta  është që këtu EULEX`i ka vepruar me një arrogancë të pashpjegueshme”.

“Duke filluar edhe prej rastit të Drenicës nëse i lexoni ato për çka akuzohen ata njerëz mund të gjeni edhe akuza të cilat vërtet janë banale janë qesharake në njëfarë mënyre. Këtu kemi raste banale të gjykimeve”.

Konjufca ka shtuar se çdo anëtarë i partisë së PDK`së po tregohet kundër ata po përfundojnë në proceset gjyqësore.

“ Në njërën anë, po e shohim Kryeministrin i cili partneritetin  me bashkësisë ndërkombëtare e ka reduktuar në kompromiset me Serbinë, të cilat po i bënë”.

“Në anën tjetër bashkësisë ndërkombëtare dhe EULEX`it po i nevojitet uniteti i PDK`së për t`i shtyrë përpara marrëveshjet me Serbinë dhe në këtë mënyrë kushdo po çohet kundër aty brenda po përfundon në gjykata e EULEX`it”.

“Unë nuk e di a është kjo e rastësishme apo mund të projektojmë ndonjë qëllim të EULEX`it i cili në këtë mënyrë po e ushqen partneritetin me Kryeministrin tonë”.