Veprime të pakompromis kundër korrupsionit
Kryeministri Hashim Thaçi thotë se zbatimi i strategjive në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore është parakusht për liberalizim të vizave. Kërkoi punë dhe përkushtim edhe me të madh nga të gjithë.
Lajme
Kryeministri Hashim Thaçi njoftoi sot se të hënën do të fillojë negocimi zyrtar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Thaçi deklaroi se fillimi i negociatave është motiv shtesë për punë dhe përkushtim edhe me të madh.
“Tani më Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë”.
“Në këtë drejtim, ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të ofroni përkrahjen e nevojshme për krijimin e parakushteve për të siguruar zbatimin efektiv të agjendës Europiane për Republikën e Kosovën”.
Kryeministri Thaçi u shpreh se Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
“Agjenda europiane tashmë është në rrugë të mbarë, dhe na takon neve, që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë ta shtyjmë këtë agjendë edhe më tutje përpara, e kjo arrihet vetëm me një angazhim dhe përkushtim edhe më të madh nga të gjithë ne së bashku”.
“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave presim rezultate konkrete në të gjitha blloqet, presim që në procesin e ripranimit të rrisim numrin e marrëveshjeve për riatdhesim me shtetet e Bashkimit Evropian, të rajonit si dhe me shtetet e transitit dhe origjinës siç janë Turqia, Afganistani”.
Kryeministri tha se në aspektin e ri-integrimit Kosova duhet të krijojë kushte sa më të mira për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, posaçërisht për rastet e rënda, për ata që kanë nevoja të veçanta shëndetësore, por edhe për komunitetet të cilat kanë nevojë për përkujdesje institucionale.
“Ne duhet gjithashtu fokusuar edhe më tutje në përmirësimin e sigurisë së dokumenteve në nivel komunal, konkretisht zyrat komunale të gjendjes civile duhet të ngritin sigurinë e objekteve, pajisjeve dhe hapësirave ku veprojnë ata”.
Sa i përket Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Kryeministri Thaçi tha se shpreson që ky të jetë prioritet i të gjithëve dhe të trajtohet si i tillë.
“Në këtë drejtim pres bashkëpunim të plotë të Policisë Kufitare, Doganës, dhe Agjencionit për Ushqim dhe Veterinë si dhe presim rezultate edhe më të mira në luftimin e krimit ndërkufitarë”.
“Zbatimi i strategjive në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore është parakusht për liberalizim të vizave siç është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mes të institucioneve për zbatimin e ligjeve”.
“Për të gjitha këto na nevojitet përkushtim, angazhim dhe veprim i pa kompromis ndaj të gjitha dukurive negative. Ky është një prioritet i tërë shoqërisë tonë dhe jo vetëm i procesit të liberalizimit të vizave, për këtë arsye luftimi i dukurive negativë ka qenë dhe do të mbetet prioritet për të gjithë ne”.