Vendimi për pagën minimale ngre dilema ligjore, Ministria e Financave hesht
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale mund të konsiderohet i paligjshëm, pasi ajo nuk i ka respektuar ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, thotë Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Ligjet e përcaktojnë qartë se kush e propozon pagën minimale, thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike…
Lajme
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale mund të konsiderohet i paligjshëm, pasi ajo nuk i ka respektuar ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, thotë Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Ligjet e përcaktojnë qartë se kush e propozon pagën minimale, thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
“Se a janë shkelur ato, është organ tjetër që vendos. Ligjet janë të qarta”, sipas tij.
Bëhet fjalë për Ligjin për Këshillin Ekonomiko-Social, Ligjin e punës dhe Ligjin e pagave.
Sipas këtyre ligjeve, vendimi për rritjen e pagës minimale duhet të bëhet në fund të çdo viti kalendarik me propozim të Këshillit Ekonomiko-Social (KES), ose pasi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës (MFPT) e informon Këshillin për një propozim të ri në Qeverinë e Kosovës.
Këshilli Ekonomiko-Social përbëhet nga pesë përfaqësues të punëtorëve (sindikatave), pesë përfaqësues të punëdhënëseve (odat ekonomike) dhe pesë zyrtarë që caktohen nga Qeveria.
Më 28 gusht, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim ta rrisë pagën minimale në 350 euro për punëtorët e sektorit publik dhe privat të të gjitha moshave.
Vendimi, i cili është marrë vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të një ligji të ri për pagën minimale, pritet të fuqizohet më 1 tetor.
Deri më tash, punëtorët me pagë minimale në Kosovë kanë marrë 130 deri në 170 euro në muaj.
Çka thonë palët në KES?
Atdhe Hykolli, udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se ky mekanizëm nuk ka bërë ndonjë propozim për pagën minimale. Sipas tij, as ministri i Financave, para propozimit të vlerës së saj në Qeveri, nuk është konsultuar apo nuk e ka informuar atë. Ngjashëm pohon edhe Rafuna.
“Nëse është shmangur kjo procedurë, vendimi i Qeverisë mund të konsiderohet i paligjshëm, pasi ajo nuk e ka respektuar ligjin që vetë e ka propozuar dhe që Kuvendi e ka miratuar”, thotë Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili, mes tjerash, monitoron zbatimin e ligjeve në vend.
Me gjithë pyetjet e disahershme të REL-it në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve se a është konsultuar me Këshillin Ekonomiko-Social dhe a e ka informuar atë për rritjen e pagës minimale, ky institucion nuk është përgjigjur.
Për Visar Ymerin, drejtor i Institutit për Politika Sociale në Prishtinë “Musine Kokalari”, mënyra se si është marrë vendimi për rritjen e pagës minimale, është “arbitrare”.
Sipas tij, Qeveria po mundohet ta përjashtojë dialogun social.
“Mesa kam parë unë, Qeveria nuk ka kurrfarë shpjegimi përse paga minimale është bërë 350 euro, pse jo 400, 500, 200… Ky arbitraritet i Qeverisë bën dy dëme njëkohësisht. Në njërën anë bën shkelje ligjore, duke i përjashtuar përfaqësuesit e punëtorëve dhe bizneseve nga dialogu social dhe, në anën tjetër, ne nuk dimë se sa është e mjaftueshme kjo pagë”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Çka thonë ligjet?
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Këshillin Ekonomiko-Social (KES) në vitin 2011 – një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit të punës.
Në bazë të Ligjit të punës, Qeveria e Kosovës, në fund të çdo viti kalendarik, e përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social dhe më pas ajo vendoset nga Qeveria, sipas kritereve të caktuara.
Në Ligjin për Këshillin Ekonomiko-Social thuhet, po ashtu, se Ministria e Financave duhet të shpallë ftesë publike për konkurs për përfaqësimin në këtë mekanizëm për organizatat e të punësuarve dhe punëdhënësve.
Hykolli thotë se ky këshill nuk funksionon që nga viti i kaluar, pasi mandati katërvjeçar i anëtarëve të tij ka skaduar dhe se konstituimin e tij duhet ta bëjë Ministria e Financave.
Kjo e fundit nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it as në lidhje me konstituimin e këtij këshilli.
Ndryshimet në ligj
Vendimi për rritjen e pagës minimale në 350 euro është bërë vetëm pesë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagën minimale, në bazë të të cilit vlera e saj ishte 264 euro.
Në atë ligj, që përcakton shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore me të ardhura personale vjetore, thuhet se Qeveria, në fund të çdo viti kalendarik, e përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social.
Por, në ndryshimin që është bërë në ligj, thuhet se “në mungesë të një propozimi të tillë, Ministria për Financa, pas informimit të Këshillit Ekonomiko-Social, mund të parashtrojë një propozim të tillë për Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Rafuna thotë se as këtë ndryshim në ligj, ministria në fjalë nuk e ka respektuar.
“Do të thotë, nuk e ka dërguar asnjë informatë. Së paku të njoftonte se po propozon pagë minimale në Qeveri. Është totalisht mungesë e dialogut social dhe e transparencës”, thotë Rafuna.
Jakaj thotë se Këshilli Ekonomiko-Social nuk mund të trajohet si joekzistent.
“Në rastin konkret, vendimi mund të kontestohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative nga ana e Avokatit të Popullit, shoqatave sindikale apo organizatave të tjera”, thotë Jakaj.
Padia, sipas tij, mund të iniciohet brenda afatit prej 30 ditësh që nga data e publikimit të aktit administrativ përfundimtar.
Për mundësinë e ngritjes së ndonjë padie, Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Odën Ekonomike të Kosovës, por asnjëra palë nuk u përgjigj, duke thënë ato janë të interesuara fillimisht për konsolidimin e Këshillit Ekonomiko-Social.
Duke u përgjigjur me shkrim pyetjes së njëjtë të REL-it, Avokati i Popullit tha se vendimet e Qeverisë mund të sfidohen me procedura gjyqësore, “por në rastin konkret nuk mund të konstatojmë pa një vlerësim se a ka hapësirë për inicim të padisë”.
Përndryshe, vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011 dhe ajo ka mbetur më e ulëta në Evropë. /REL