Kushtetuesja e ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti për këtë vendim, ku thuhet se Gjykata Kushtetuese njëzëri ka vendosur për “vazhdimin e masës së përkohshme.
“Ju njoftojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sot më 30 mars 2020, njëzëri ka vendosur për vazhdimin e masës së përkohshme në rastin e KO219/13, të parashtruar nga Avokati i Popullit, z.Hilmi Jashari. Masa e përkohshme vazhduar deri më 30 qershor 2020. Vendimi për vazhdimin e masës së përkohshme do ju dërgohet së shpejti në kopje fizike”.
Lidhur me këtë vendim, nuk janë pajtuar Sindikatat e Pavarura të Kosovës.
Kryetari i Sindikatës të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla për lajmi.net ka thënë se ky vendim është për turp pasi mjekët në këtë kohë e kanë barrën më të madhe të përballjes me virusin COVID19.
Syla më tutje për lajmi.net tha se nëse ky vendim ka marrë kaq kohë dhe nuk është shqyrtuar, atëherë del të jetë i ndikuar nga politika, por ka thënë se populli duhet ta ndikojë këtë çështje.
“Unë së pari po them që është turp me gjetë këtë kohë kur jemi në këtë kohë, sepse ne jemi të lidhur për pacienta, e këta me e rujtë komoditetin e tyre e ne të njëjtën kohë me sakrifiku, kjo nuk do koment. Nuk mund të flasim për hapa, por pas pandemisë flasim për hapat tonë. Sot këta kanë bërë vendim për marre. Nëse ky vendim nuk është shqyrtuar tërë këtë kohë, kësaj po i vie era politikë. Nuk dua të paragjykoj, por kështu po duket. Në fund të fundit, është kundër këtij shteti, por le ta gjykon vet populli këtë çështje.”, tha Syla
Edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës Rrahman Jashari për lajmi.net tha se vendimi për pezullim është i padrejtë, derisa tha se do të komunikojnë me kryetarët e SBASHK-ut në komuna për të dalë me qëndrim unik.
“Të them të vërteten, ne siç e din opinioni përmes avokatit të popullit, punëtorët e arsimit kanë mbledhur mijëra nënshkrime dhe i kanë dërguar Gjykatës Kushtetuese që të hiqet pezullimi deri në fund të marsit, por kjo mori trajtë të re dhe në këtë situatën aktuale që jemi SBASHKU do të komunikojë dhe do të analizojë situatën për shkak të virusit, ne do të jemi në komunikim edhe me kryetarët e niveleve komunale dhe SBASHKu do të dalë me qëndrim unik. Ne e cilësojmë të padrejtë vendimin e Kushtetuesës për vazhdim të pezullimit sepse kemi kërkuar tërheqjen edhe të këtij pezullimi që ka qenë”, tha Jashari.
Më tej, Jashari shprehet se do të komunikojnë edhe me sindikata të tjera, por gjithashtu ka bërë të ditur se nuk kanë pranuar arsyetim për këtë vendim të Kushtetueses.
“Do të bisedojmë edhe me sindikata të tjera për situatën aktuale sepse ky vendim duket jo i drejtë dhe nuk e kemi arsyetimin e vendimit, ne media po thuhet se do të publikohet arsyetimi, por po presim se çfarë do të ndodh pas arsyetimit. Vendimi mund të jetë i ndikuar edhe nga situata kur qeveria po ndanë mjete shtesë për disa kategori, por ne nuk e kemi arsyetimin e Kushtetueses dhe ne nuk e kemi pritur këtë vendim.”, tha Jashari për lajmi.net.
Më tutje, Jashari është shprehur se janë të pakënaqur për procesin e stërzgjatur. Ai tha se në situatën aktuale me virusin e kanë të pamundur të reagojnë, por pas kësaj krize do të merren masat.
“Jemi të pakënaqur, ne do t’i shohim arsyet por për neve nuk qëndrojnë sepse ky proces është stërzgjatur. Ditën e fundit kur ne kemi pritur të hiqet pezullimi, ndodhi pezullimi tjetër dhe ne do të dalim me qëndrim pas marrjes së arsyetimeve. Por në situatën aktuale mundësitë për të vepruar kundër këtij veprimi janë të pamundshme”, tha Jashari.
Ligji për Paga i miratuar në shkurt të këtij viti ishte dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit për shkak të ankesave të rreth 30 palëve. Ndaj këtij ligji ka pasur ankesa edhe nga infermierët e spitaleve publike të Kosovës.
Në bazë të k ëtij ligji mjekët specialistë do të paguheshin me pagë rreth 1200 euro në muaj, por pagat e tyre vazhdojnë të mbesin përgjysmë më pak deri sa Gjykata Kushtetuese të merr një vendim përfundimtar.
Avokati i Popullit ishte ankuar pasi ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve. /Lajmi.net/