“Vendimet e gjykatës ishin cak i sulmeve” – Bajraktari: Zbatimi i tyre është testi i vërtetë i demokracisë

Sot Kosova shënon Ditën e Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit, i cili synon të rregullojë funksionimin e institucioneve dhe jetën politike. Në një prononcim për Lajmi.net, avokati Ardian Bajraktari ka folur për rëndësinë e vendimeve të Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe për mënyrën se si ato respektohen nga institucionet. Ai thekson se…

Lajme

09/04/2026 19:37

Sot Kosova shënon Ditën e Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit, i cili synon të rregullojë funksionimin e institucioneve dhe jetën politike.

Në një prononcim për Lajmi.net, avokati Ardian Bajraktari ka folur për rëndësinë e vendimeve të Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe për mënyrën se si ato respektohen nga institucionet.

Ai thekson se rastet më të shpeshta që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese janë nga fushë e gjyqësorit, por rastet që lidhen me politikën dhe institucionet marrin më shumë vëmendje.

“Sa i përket veprimeve dhe vendimeve të organeve shtetërore të cilat janë ose jo në pajtim me Kushtetutën, natyrisht se rastet më të shpeshta janë të fushës së gjyqësorit, ku palët i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkak të shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e gjykatave të rregullta, por që për shkak të natyrës, rastet që ndërlidhen me politikën dhe institucionet marrin më shumë vëmendje”, tha ai.

Bajraktari shton se çdo çështje e trajtuar nga Gjykata ka peshën dhe rëndësinë e vet, duke përfshirë edhe rastet e projektligjeve të dhjetorit 2024, ku gjykata vendosi një standard të rëndësishëm.

“Natyrisht se çdo çështje që adresohet në gjykatë, dhe që kjo e fundit e trajton, është rast në vete dhe si e tillë e ka peshën dhe rëndësinë e vet. Kohëve të fundit ka pasur jo pak raste të tilla, ku gjykata ka shqyrtuar çështje edhe për nga procedura, siç ishin rastet e një varg projektligjesh të seancës së dhjetorit të vitit 2024, ku Gjykata vendosi një standard tejet të rëndësishëm, që krahas përmbajtjes, edhe procedura e miratimit të ligjeve është tejet e rëndësishme. Pastaj Gjykata ka qenë aktive edhe në drejtim të sqarimit të rrethanave për sa i përket çështjes së zgjedhjes së institucioneve, e po ashtu edhe të ruajtjes së frymës kushtetuese, gjë që vlerësoj se përmes këtyre vendimeve ka ndikuar në disiplinimin e skenës politike në lidhje me respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj”, u shpreh Bajraktari.

Sa i përket respektimit të vendimeve të Gjykatës, Bajraktari thotë se edhe pse ka pasur diskutime dhe sulme ndaj gjyqtarëve, vendimet janë zbatuar.

“Ndonëse vendimet e gjykatës kanë qenë të diskutuara në jo pak raste, madje për fat të keq edhe me sulme dhe etiketime në adresë të gjykatës dhe të gjyqtarëve, madje duke përmendur edhe emra të përveçëm të gjyqtarëve, megjithatë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në instancë të fundit janë zbatuar. Ky është test për nivelin e demokracisë, ngase moszbatimi eventual i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i barasvlershëm me moszbatimin e Kushtetutës. Ka pasur tentativa për bishtnime, e kësaj ndonjëherë i ka kontribuar jo qartësia e mjaftueshme e gjykatës, mirëpo megjithatë vendimet janë zbatuar”, tregoi ai.

Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën më 9 prill 2008, ndërsa ajo hyri në fuqi dy muaj më pas.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon votim të dyfishtë: dakordim nga dy të tretat e të gjithë deputetëve, dhe nga dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë. Pra, çdo ndryshim kërkon konsensus të gjerë.

Në një realitet ku Kushtetuta nuk lexohet njësoj nga të gjithë, Gjykata Kushtetuese mbetet shpesh vendi ku përfundojnë mosmarrëveshjet politike./Lajmi.net/