Veliu kërkon reformim të menjëhershëm të Degës së LDK-së në Podujevë: S’kemi deputetë në Kuvend, partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël
Ish-nënkryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës, duke e cilësuar situatën aktuale si një krizë të thellë politike dhe organizative. Përmes një reagimi publik, Veliu ka theksuar se pesë humbjet radhazi në zgjedhje janë pasojë e një drejtimi të komanduar,…
Lajme
Ish-nënkryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës, duke e cilësuar situatën aktuale si një krizë të thellë politike dhe organizative.
Përmes një reagimi publik, Veliu ka theksuar se pesë humbjet radhazi në zgjedhje janë pasojë e një drejtimi të komanduar, i cili sipas tij ka humbur besimin e anëtarësisë dhe nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësi për dështimet.
Ai ka rikujtuar se për më shumë se tri dekada Dega e LDK-së në Podujevë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vjet, siç ka theksuar, qytetarët ia kanë besuar drejtimin e Komunës, gjë që sipas tij dëshmon se LDK-ja di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza partiake.
Veliu ka kritikuar ashpër vendimet e marra pas largimit të tij nga drejtimi i Degës, duke thënë se kompetencat janë marrë nga kryesia përmes një vendimi kundërstatutor dhe të padrejtë, ndërsa Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.
Sipas tij, pasojat e këtij drejtimi janë të qarta: humbje elektorale, demotivim dhe largim i anëtarësisë. Ai ka theksuar se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë ka mbetur pa asnjë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst, Veliu ka bërë thirrje publike për ndryshime të menjëhershme, duke kërkuar marrje përgjegjësie politike për dështimet, hapje të Degës ndaj anëtarësisë, organizim të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente, si dhe rikthim të unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit anëtar.
Ai ka theksuar se heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët, duke shtuar se është i gatshëm të kontribuojë me përvojën e tij politike për reformimin dhe rikthimin e besimit të humbur.
Në fund, Veliu ka theksuar se LDK-ja nuk i përket një individi apo një grupi të vogël, por anëtarëve dhe votuesve të saj, duke paralajmëruar se pa ndryshime, humbjet do të vazhdojnë.
Postimi i plotë:
Thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës
Të nderuar qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Gjërat të thuhen hapur.
Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi.
Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.
Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.
Rezultati është i qartë:
humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë.
Në këtë situatë është e domosdoshme:
• Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme.
• Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale.
• Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura.
• Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit.
Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së.
Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.
Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur.
Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël.
LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj.
Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë./lajmi.net/