Veliaj: Na duhet shumica absolute për të ecur përpara

Në takimin me socialistët e Njësisë 11 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj ishte i drejtpërdrejtë kur tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale kërkohet fitorja me shumicë absolute në këshill për të mos cenuar ecjen përpara të investimeve.

Lajme

13/07/2022 23:34

“Na duhet shumica edhe në Këshill sepse është garancia për të ecur përpara, për të marrë vendime të rëndësishme. Një popull i fragmentuar, një Parlament copë e çikë, partiçkat e vogla që të ngulen si shushunja në lëkurë, nuk ta japin dot këtë mundësi”.

Veliaj komentoi protestën e 7 Korrikut të opozitës duke shigjetuar drejtuesit e tyre.

“Çfarë bëri ky që kërkon protesta sot? Ky i 96-ës, i 97-ës, i 98-ës, që i vuri shqiptarët të vriten me njëri-tjetrin, veriun me jugun, të krishterët me myslimanët, firmat piramidale, që i quante Zvicra shqiptare, Lanën e zaptuar. Këta e kishin Tiranën dhe nuk bënë një shkollë. Sot kemi 40 shkolla te reja. Shikoni partinë tjetër: hap qepenin, mbyll qepenin, njëherë burri, njëherë gruaja”.

Veliaj renditi një listë të gjatë të investimeve të realizuara në Njësinë 11, ndihmën në rastin e tërmetit apo të pandemisë dhe kujdesin për shtresat në nevojë./TvKlan.al/